KFOR-i italian dhuron donacion në vlerë prej 70 mijë euro
Barnatorja Qendrore e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, ka pranuar donacionin e tretë të radhës nga grupi shumëkombësh perëndim (MNBG-W)/kontingjenti italian, barin Ibuprofen Plv (Buscofen) në sasi prej 77000 njësi i dedikuar Klinikave të QKUK-së dhe Spitaleve të Përgjithshme në Gjakovë, Gjilan, Prizren, Pejë, Ferizaj e Mitrovicë.
Donacioni është ofruar nga Organizata joqeveritare humanitare “Perigieo onlus” nga Macerata e Italisë, përmes zyrtarëve të lartë të KFOR-it italian.
Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, falënderoi organizatën italiane dhe kontingjentin italian të KFOR-it për donacionin e dhënë. Sipas tij, ky është shembulli më i mirë i bashkëpunimit civilo-ushtarak.
Kolonel Stefano Imperia, komandanti i Komandës së Grupit shumëkombësh të betejës-Perëndim (MNBG-W) dhe komandant i Kontingjentit italian të KFOR-it në Kosovë, tha se është kënaqësi me qenë në këtë ceremoni.
“Ky donacion është dhuruar falë shoqatës Perigieo, me të cilin kemi bashkëpunim si Ministri e Mbrojtjes së Italisë. Në këtë rast duhet të falënderojmë edhe aeronautikën ushtarake italiane”, tha ai.
Arijeta Stanovci, shefe e Barnatores Qendrore dhe koordinatore për çështje Farmaceutike në SHSKUK, tha se vlen të theksohet në veçanti miqësia dhe dashuria e shprehur anekënd botës e popullit italian për Kosovën dhe popullin tonë.
“Lidhjet e ngushta, të përzemërta dhe shumë miqësore mes popullit italian dhe popullit tonë janë dëshmuar me veprat dhe angazhimin e palodhshëm të këtij vendi në çështjen e zgjidhjes së situatave më të vështira për Kosovën”, u shpreh Stanovci.