KFOR-i intervenon nga ajri, shuhet zjarri në Prevallë
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se zjarri është shuar në Prevallë dhe kjo falë intervenimit të KFOR-it nga ajri.
Përmes një postimi në Facebook, Totaj tha se nuk duket se ka shenja se mund të përsëritet gjendja e njëjtë, dhe poashtu falënderoi KFOR-in për përkushtimin për t’u gjetur aty kur rrezikohet prona dhe jeta e banorëve në Kosovë.
Postimi i plotë i Totajt:
Të nderuar qytetarë,
Si rezultat i përcjelljes së gjendjes së krijuar me zjarret në Prevallë dhe pas konsultimeve me të gjithë akteret, përfshirë edhe KFOR-in, u vlerësua se për ta evituar rrezikun e përhapjes së mëtutjeshme të zjarrit duhet intervenuar nga ajri.
KFOR-i edhe një herë e ri konfirmoi përkushtimin për t’u gjetur aty kur rrezikohet prona dhe jeta e banorëve në Kosovë.
Gjate intervenimit nga ajri, nga ana e KFOR-it, me anë të helikopterëve është hedhur ujë, ndërsa, zjarri është shuar dhe nuk duket se ka shenja se mund të përsëritet gjendja e njejtë.
Megjithatë, bashkë me të gjithë akterët relevant në terren jemi në përcjellje të situatës.
Jemi falënderues dhe mirënjohës jo vetëm ndaj KFOR-it por dhe ndaj të gjithë akterëve tjerë të cilët dhanë kontributin, se pari për ta menaxhuar e pastaj për të shuar zjarrin.
Falënderim për shtabin emergjent të krijuar nga Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë e Komunës së Prizrenit, posaçërisht zjarrfikësve prizrenas që monitoruan situatën gjatë gjithë kohës.
Bashkë jemi më të fortë!