Këto mund të jenë dënimet që UEFA mund t’ia japë Rumanisë për ndeshjen me Kosovën

Këto mund të jenë dënimet që UEFA mund t’ia japë Rumanisë për ndeshjen me Kosovën

UEFA i nisi dje hetimet ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë, e cila ngarkohet me gjashtë pika për thyerjen e rregullave në ndeshjen me plot skandale kundër Kosovës.

Tifozët rumunë bënë provokime nacionaliste ndaj “Dardanëve”, duke e shpalosur një pankartë me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, ndërsa brohoritën edhe “Serbia, Serbia”, me ç’rast u ndërpre loja për gati një orë, për të vazhduar më pas dhe për të fituar rumunët me rezultat 2:0.

Por, kjo nuk është arsyeja e vetme për të cilën mund të dënohen rumunët pasi ata përfunduan në procedurë disiplinore edhe për pesë raste të tjera, që lidhen me bllokimin e rrugëve, ndezjen e objekteve piroteknike, hedhjen e gjësendeve në fushë, mesazhet ofenduese provokuese dhe sjelljet raciste.

Në bazë të rregullave të shtëpisë së futbollit evropian, Kombëtarja e Rumanisë mund të dënohet me dy ndeshje pa praninë e shikuesve, kundër Andorrës më 15 tetor dhe ndaj Zvicrës më 21 nëntor.

Gjithashtu, Federata Rumune e Futbollit mund të gjobitet me 100 mijë euro.

Rumunët ishin gjobitur më parë nga UEFA me 15 mijë euro në këto eliminatore pas këndimeve dhe thirrjeve të tifozëve në ndeshje me Bjellorusinë.

Shpërndaje në: