Këto këpucë janë aq trend sa u shitën edhe në karantinë
Nëse i ndiqni vazhdimisht postimet e yjeve të famshëm nëpër rrjete sociale, është e pamundur të mos keni vënë re këpucët e tyre të preferuara të momentit. Mund të jenë sandale ose shapka, pak rëndësi ka – ato janë të gjitha Amina Muaddi!
Rihanna, Kendall Jenner, Rosie Huntington-Whiteley janë disa nga vajzat e famshme që i kanë veshur pothuajse në çdo dalje publike. Who What Wear shkruan se këpucët Amina Muaddi u shitën të gjitha në Londër pak kohë më parë, ndonëse vendi ishte në izolim total.
Dizajnerja Amina Muaddi ishte një nga dizajnerët e preferuar nëpër Javën e Modës në Itali, ku është rritur dhe ka studiuar. Ajo ka ndjekur Institutin Europian të Dizajnit dhe ka punuar si stiliste për L’Uomo Vogue dhe GQ, që e kanë ndihmuar të kuptojë më mirë botën e modës.
Pas suksesit në Itali, duke u shndërruar në një nga dizajneret e preferuara të figurave të njohura, Amina u zhvendos në Paris dhe nisi linjën e saj të këpucëve. Brenda pak kohësh, marka e saj u përqafua nga emra si Rihanna që e ndihmuan Muaddi-n të vendosej në qendër të vëmendjes.