Këto janë ushqimet që zgjatin jetën
Ushqimi i mirë, shëtitjet e përditshme dhe ndërprerja e pirjes së duhanit, janë parakusht për jetë të shëndoshë dhe jetë të gjatë, paralajmërojnë shkencëtarët britanikë të cilët për herë të parë kanë përshkruar ushqimet të cilat ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të pjesëve të caktuara të trupit.
Në pesë dekadat e fundit jetëgjatësia mesatare është ngritur nga 70 në 80 vjet, ndërsa pritet që deri në vitin 2060 të rritet edhe për dhjetë vjet të tjera. Për këtë arsye ekspertët britanik për ushqim kanë ofruar rekomandimet e tyre për ushqimin e duhur, i cili siguron jetë kualitative.
Edhe pse ekspertët pohojnë se kurrë nuk është vonë për të filluar me shprehitë e shëndetshme ushqyese, rekomandimet e tyre janë që sa më herët të fillohet konsumimi i ushqimit të duhur, ndërsa më së miri do të ishte që kjo të ndodhë që në fëmijëri.
Kështu, ata kanë dhënë listën e disa ushqimeve të cilat ndihmojnë në mbajtjen e shëndetit të organeve dhe pjesëve të caktuara të trupit.
Sytë
Luteina dhe zeaxanthina të cilat janë të pranishme në kivi, rrush dhe spinaq ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të syve, në mënyrë që të mbrohet shikimi.
Truri
Një numër i madh i personave të moshuar vuajnë nga demencë ose probleme të ngjashme njohëse. Acidi folik, i cili gjendet në lulelakër, portokall, pastaj drithëra; vitamina B12 e cila është e pranishme në mishin e shpezëve, vezët dhe produktet e qumështit; dhe acidet omega-3-yndyrore nga peshqit janë ushqim i shkëlqyer për trurin.
Eshtrat
Osteoporoza paraqitet te çdo e treta femër, si edhe të çdo i dymbëdhjeti mashkull, mbi moshë 55-vjeçare. Për këtë arsye është me rëndësi të madhe që të konsumohen ushqimet e pasura me kalcium (qumësht, jogurt dhe djathë), si edhe vitamina K (e pranishme në lulelakër) po ashtu e rëndësishme për mbajtjen e shëndetit të kockave. Rëndësi të veçantë ka edhe vitamina D, e cila gjendet në vezë dhe peshk, ndërkohë që përveç mbrojtjes së eshtrave na mbron edhe nga verimi dëmtues i rrezeve të diellit.
Zemra
Sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut janë njëri nga shkaktarët më të sheshtë të vdekjes në ditët e sotme. Acidet omega-3yndyrore të cilat janë të pranishme në peshk; pastaj yndyrat e shëndetshme, siç është vaji i ullirit; fibrat nga bizelja, fasulja dhe tërshëra; burimet e kaliumit nga perimet, pjeshka dhe bananet- janë ushqime të cilat veprojnë në mënyrë të dobishme në zemër. Megjithatë ekspertët rekomandojnë që përveç këtyre ushqimeve është mirë që të merreni me ndonjë lloj aktiviteti trupor, qoftë ecje apo ushtrime.
Gjaku
Ushqimi i pasur me hekur, i cili në sasi më të madhe gjendet në mëlçi, mish, fasule, produktet arrore, pemët e thara, drithërat dhe lulelakër, ndihmon tek anemitë, ndërsa po ashtu në mënyrë të përgjithshme përmirëson pasqyrën e gjakut.
Për dhëmbë të shëndoshë është i nevojshëm flori, i cili gjendet në ujë, çaj dhe peshk. Likopeni, i cili i nevojitet prostatës, gjendet në gujava, shalqi, rrush etj.
Për mbajtjen e rregullt të të gjitha funksioneve trupore është me rëndësi që të konsumohen sasitë e nevojshme të ushqimeve të cilat janë të pasura me vitaminat A dhe C (spec, lakër, pjepër, vajrat bimore, produktet arrore, pemë dhe perime tjera). /Telegrafi/