Këto janë fjalët e Stefano Piolit pas humbjes turpëruese nga Interi
Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, është shprehur i bindur se skuadra e tij do të reagojë pozitivisht pas humbjes së thellë 3:0 kundër Interit në derbin për kreun e Serie A të dielën.
Lautaro Martinez dy herë dhe Romelu Lukaku një herë shënuan për ta konkretizuar mbizotërimin e zikaltërve ndaj rivalëve në San Siro, të dielën.
Interi vijon të jetë lider i Serie A tani me 53 pikë pas 23 ndeshjeve, katër më shumë se Milani dhe 11 më shumë se Juventusi. Ky i fundit i ka zhvilluar dy ndeshje më pak, megjithatë.
Kjo ishte humbja e tretë në pesë ndeshjet e fundit në ligë për skuadrën e Piolit, i cili beson se kuqezinjtë do të reagojnë pozitivisht në ndeshjen e ardhshme.
“Goli i parë ishte i rëndë për ne. Neve na mungoi intensiteti në pjesën e parë dhe është dashur të bënim më shumë. Në pjesën e dytë e merituam të shënonim gol”, tha Pioli.
“Ne bëmë më shumë goditje në kornizën e portës në pjesën e dytë, por Handanovic i pati disa pritje vendimtare. Ishte një javë e vështirë për ne, por ne do të reagojmë”, shtoi ai.
Javën e ardhshme, Milani do të ketë përsëri punë të vështirë, sepse e viziton Romën në Stadiumin Olimpik. /