Këto janë 10 gjërat e bukura kur ke një vajzë
Nëse jeni në pritjen e ëmbël të një vajze, apo Zoti sapo iu ka bekuar më një vajzë, ky është momenti për të kuptuar thelbësisht arsyet se pse duhet të jeni prindërit më të lumtur në botë kur keni një vajzë. Nuk thonë kot: “Kush ka vajza botën ka”! Ne po ju rendisim 10 pikat më të forta!
Aksesorët
Nëse ka një gjë për të cilën vajzat janë të adhurueshme, janë pikërisht aksesorët. Ato për flokë, fjongo, kapëse me ngjyra, kordele, e më vonë me kalimin e kohës, vëthët e vegjël, byzylykët, i bëjnë ato të duken si kukulla në miniaturë. Çdo ditë mund të eksperimentosh me look-un e tyre, sepse vajzat e krijojnë këtë hapësirë më së miri.
Veshjet
Janë një tjetër pikë e fortë që lidhet direkt me to! Mund t’i veshësh me rozë, mund të luash me tonalitete ngjyrash të ndezura, mund të zgjedhësh fustane sipas moshës, çanta të vogla, këpucë me fjongo, e plot gjetje të tjera interesante që e bëjnë vajzën tuaj të duket shumë stylish.
Goca babit
Dihet botërisht! Vajzat lënë kokën pas baballarëve. Ndoshta, shpjegimi i vetëm është brishtësia, ose lidhja e ngushtë që ato krijojnë me babanë, njësoj siç djemtë krijojnë me nënat. Pa asnjë dyshim, vajzat janë shumë protektive ndaj baballarëve të tyre.
Përkëdhelitë
Edhe nëse ke pasur një ditë të tmerrshme në punë, ke kaluar orë të zgjatura në takime, dhe gjërat nuk kanë shkuar sipas parashikimeve, sapo futesh në shtëpi dhe ndeshesh me shikimin dhe buzëqeshjen e vajzës tënde, apo përkëdhelitë që këto të fundit i japin pa kursim, atëherë e gjithë lodhja zhduket si me magji. Djemtë për nga natyra janë më të tërhequr, më të ftohtë. Ndryshe ndodh me vajzat…
Kujdesi që tregojnë ndaj prindërve
Edhe pse martohen, dhe krijojnë folezën e tyre të re të familjes, me bashkëshortin e fëmijët, sërish vajzat e kthejnë kokën tek dera e prindërve, tek vëllai, tek motrat. Është në natyrën e vajzave që të jenë të kudo gjendura, për çdo problem apo situatë që kalohet në familjen e prindërve. Ndaj, na besoni jeni me fat nëse jeni prindër të një vajze.
Janë më të qeta
Përgjithësisht, ato janë të qeta, dhe veprojnë pa zhurmë, pa bujë në gjithçka bëjnë në jetën e tyre. Sidomos kur maturohen dhe ndjekin objektivat në fusha të ndryshme të jetës, si shkollim, punësim, etj. Ndryshe nga meshkujt. Ata janë më të zhurmshëm, shpesh më agresiv, pa argumenta dhe kokëfortë. Ama, kjo e fundit gjithsesi nuk është arsye që të mos i doni fëmijët djem, përkundrazi. Kanë edhe ata plot motive të forta se pse janë qenie të rëndësishme në familje e shoqëri.
Kur martohen lidhen më shumë me familjen
Deri në momentin që janë nën çatinë e prindërve, i gjithë fokusi i tyre rrotullohet brenda asaj hapësire, mes prindërve, motrës apo vëllait. Por, pasi martohen, ato kuptojnë më në thelb rëndësinë e familjes, dhe kjo i bën që të jenë akoma më të lidhura me çdo pjesëtar të familjes së re, por edhe me rrënjët e gjenezës së tyre.
Të ndihmojnë në punët e shtëpisë
Ndoshta mund ta kishit harruar, por përgjithsisht vajzat janë më krahë pune, sidomos në ato të shtëpisë. Nuk nddh njësoj me djemtë. Ata e kanë mendjen tek shokët, tek shoqet, tek argëtimi, tek orët e gjata larg shtëpisë. Vajzat janë vërtet ndihmesë e madhe në këtë aspekt.
Ajo do të vishet si ju
Një tjetër anë pozitive e të pasurit vajzë, është fakti që ajo imiton nënën jo vetëm në sjellje, por më shumë në stilin e veshjes. A nuk ju bëjnë për të qeshur ato momentet kur vajzat e vogla marrin këpucët me takë të mamave dhe dalin para pasqyrës për të parë veten si duken? Apo kur vendosin varëse? Apo kur lyhen me buzëkuqin e mamit? Të gjitha këto situata janë kaq të lezetshme kur je mama e një vajze.
Janë qenie të brishta
Nga vet natyra e femrës, si një qenie më e brishtë se meshkujt, por assesi më e dobët(faktet kanë dëshmuar se femrat mund të jenë lidere shumë të suksesshme dhe me një karrierë brilante), vajzat shpesh kanë nevojë për suportin e meshkujve, në shumë sfera të jetës. Të kuptohemi, kjo nuk i bën ato të ndihen të pambrojtura, por thjesht prania e një mashkulli në krah është më shumë çështje sigurie.