Këta janë dy ish ministrat që Prokuroria Speciale u ngriti aktakuzë
Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Vesel Krasniqit dhe Endrit Shalës, dy ish-ministrave të Qeverisë së Kosovës.
Dy ish-ministrat, përfaqësues të Nismës Socialdemokrate, akuzohen për korrupsion lidhur me licencat e naftës, ka thënë për Paparacin një burim i afërt me Prokurorinë.
Prokuroria, në një komunikatë për media të premten, tha se i ka propozuar Gjykatës që të dyshuarve t’iu shqiptohet edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike.
“Në mbështetje të nenit 62 të Kodit penal, PSRK ka propozuar që krahas dënimit kryesor, të pandehurve t’u shqiptohet edhe dënimi plotësues: Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj dy ish-zyrtarëve të lartë të qeverisë