Kështu foli Jordan Petersoni

Kështu foli Jordan Petersoni

Dy vjet më parë, Jordan Peterson ishte një profesor goxha i panjohur psikologjie në Universitetin e Torontos me një libër të vetëm të botuar, Hartat e kuptimit: Arkitektura e besimit [ang.Maps of Meaning: The architecture of Belief], dhe me disa publike tjera shkencore që mbajnë emrin e tij mbi psikologjinë politike, personalitetin, dhe të tjera tema ‘mainstream’ të psikologjisë.

Sot, Petersoni është i famshëm. Libri i tij i dytë, 12 rregulla për jetën: Një antitodë për kaosin [ang.12 rules for Life: An Antitode to Chaos], i botuar në janar, shpejt hyri mes librave më të shitur të Amazon. Ligjëratat e tij publike ndiqen shumë, videot në YouTube kanë marrë mbi 40 milionë shikime, dhe tashmë i ka mbi 500 mijë ndjekës në Twitter. Dikund 8 mijë përkrahës të tij i japin 66 mijë dollarë për muaj, ose një mesatare prej 10.93 dollarësh për secilin, në website-in e krijuar nga ta – Patreon. Në këmbim, ata marrim një sesion të Q&A me mentorin e tyre në YouTube.

Thirrja e psikologut varet në aftësinë e tij për të folur në ato që dikush do t’i quante kriza shpirtërore të maskulinitetit në Perëndim: sensi i thellë i kotësisë dhe dobësisë që një numër në rritje i burrave thonë se e ndjejnë shkaku i globalizimit, ndryshimeve teknologjike, dhe të drejtave civile të fituara nga feministet dhe minoritete të ndryshme etnike. Tyler Cowen dhe David Brooks e quajnë Petersonin intelektualin publik të momentit. Ata mund të kenë të drejtë. Por fama e tij është simptomë e krizës që ai pretendon se do ta zgjidhë. Dhe stili i tij dhe suksesi i tij janë përsëritje në miniaturë të politikave autoritare populiste që po ngrihen gjithandej Perëndimit.

Libri i ri mediokër i Petersonit për rregullat nuk është veçanërisht radikal. Shumica prej këtyre rregullave vijnë nga traditat etike të lashta ose janë thjesht pjesë e asaj që e quajmë ‘common sense’. Numri 3, për shembull – “Bëhu shok me ata njerëz që duan më të mirën për juve” – është krejtësisht i arsyeshëm por poashtu një aforizëm që daton nga koha e Aristotelit dhe Konfuçit. Shumë më interesante se vetë teksti është show skenik që e shoqëron Petersonin: turet e leksioneve, web-site i vetëndihmës, meme-t e internetit, dhe prezenca e tij në media sociale.

Fushata ndërkombëtare e marketingut për të ndihmuar botimin e librit të dytë, u bë shumë më e rëndësishme se vetë libri i tij. Në janar, një intervistë në Channel 4, në të cilën Petersoni e vuri në siklet prezentuesen Cathy Newman, kur e pyeti për refuzimin e tij për të respektuar preferencën mbi përemrat vetorë të transgjinorëve u bë viral në internet. Ndjekësit e Petersonit shpejt e shpërndanë në internet, duke i vënë tituj të tillë si “Jordan Peterson tregohet dërrmues në debatin për transgjinorët duke e lënë nikoqiren e televizionit pa fjalë.”

Petersoni është mjaft i stërvitur në këto lloj gjërash. Një serial televiziv 13 pjesësh i bazuar në librin e tij të vitit 1999, Hartat e Kuptimit, iu ofroi shikuesve një paraqitje të shkurtër të të menduarit të tij dhe të personalitetit të tij, por ishte një seri videosh që e sulmonte korrektësinë politike, e publikuar në YouTube më 2016, që e para mori vëmendje të gjerë. Ngritja e tij te fama vazhdoi më 2017, kur u paraqit në senatin kanadez dhe e denoncoi Projektligjin C-16, që përcaktonte se Akti i të drejtave të njeriut i Kanadasë më 1977 shtonte identitetin gjinor dhe shprehjen e gjinisë në hapësira të ndaluara për diskriminim. Petersoni e portretizonte atë si përpjekjen e fundit të elitave për të minuar civilizimin Perëndimor. “Një gjë nuk do të bëj e kjo është përdorimi i fjalëve të sajuara nga neo-marksistët postmodern, të cilët po luajnë një lojë të veçantë të identitetit gjinor si një shtesë të filozofisë së tyre të dënueshme,” tha ai në një event të sponzoruar nga Iniciativa e Kampit të Hapur të Universitetit të Harvardit në prill të 2017-s. Ai më pas u denoncua publikisht si një fanatik por edhe u lavdërua si një hero i fjalës së lirë.

Filozofia e Petersonit është e zorshme të rroket shkaku që është konstruktuar nga pjesë të barabarta të një alarmi apokaliptik dhe të këshillave të thjeshta. Njësoj si psikiatristi zviceran Carl Jung, të cilin e citon si një influencë intelektuale, Petersoni dëshiron të mendojë me dualitetet e mëdha – veçanërisht në dualitetin e rendit dhe të kaosit. Rendi, sipas tij, konsiston në gjithçka që është rutinë dhe e parashikueshme, ndërsa kaosi korrespondon me gjithçka që nuk është e parashikueshme e që është e re.

Për Petersonin, të jetuarit mirë kërkon të ecësh mes të dyjave. Ai nuk është i pari mendimtar që ka folur për një gjë të tillë; një tjetër hero i tij, filozofi gjerman Friedrich Nietzsche, duke u kthyer në Greqinë antike, sygjeron që jeta më së mirë jetohet mes harmonisë së Apollos dhe çmendurisë së Dionisit. Por ndërsa Petersoni pretendon që të dyja, edhe kaosi edhe rendi janë barazisht të rëndësishme, ai është kryesisht i përqendruar me rreziqet që sjell e dyta – e prandaj kjo i legjitimon rregullat e tij.

Në librin dhe ligjëratat e tij, Petersoni e përshkruan kaosin si “feminin.” Rendi ose rregulli, natyrisht, është “maskulin.” Kështu, kërcënimi i të qenit i mbipushtuar nga kaosi është kërcënim i të qenit i pushtuar nga femërorja. Tensioni mes kaosit dhe rendit luhet edhe në sferën personale edhe në sferën më të gjerë kulturore, kur kaosi promovohet nga ata që ai i quan “neomarksistët postmodernistë” influenca e poshtër e të cilëve e ka lindur feminizmin radikal, korrektësinë politike, relativizmin moral, dhe politikat identitare.

Në thelb të programit social të Petersonit është ideja që sulmi i feministetit duhet të rezistohet. Burri duhet të bëhet i fortë dhe dominant. Dhe, për mendjen e Petersonit, edhe gratë e duan një gjë të tillë. Ai na thotë në 12 rregulla për jetën: “Nëse ato janë të shëndetshme, nuk duan djem. Duan burra… nëse janë të forta, e duan dikënd edhe më të fortë për to. Nëse janë të mençura, e duan dikënd edhe më të mençur.” Gratë e “shëndetshme” duan burra që do t’i linin pas ato. Kjo është arsyeja e Petersonit që vazhdimisht i referohet motivit të heroit të Jungut: një luftëtar që e nënshtron pushtetin femëror të kaosit. Bëhu burrë i vërtetë, na thotë ai neve.

Ky mekanizëm lidhet me Jungun por poashtu bën një karikaturë të filozofisë së Nietzsches, veçanërisht të Ubermenschit, ose mbinjeriut, qi ikën nga efektet trullosëse të një kulture dekadente. “Unë nuk jam njeri,” tha Nietzsche dikur. “Unë jam një dinamit!” Dinamit, nga greqishtua dunamis, do të thotë “pushtet/fuqi.” Kësaj i janë vënë pas njerëzit e Petersonit. Nuk është rastësi që njëra prej videove të tij me leksione është titulluar “Si të ngritesh në majë të hierarkisë së dominancës.”

Por megjithëse ai e dënon ideologjinë e viktimizimit, Petersoni është i prirur që gati të dënesë kur flet për të rinjtë në gjendje të vështirë në kulturën perëndimore bashkohore. Ai i përshkruan ata si objekte të një konspiracioni të madh postmodernist, të hedhur në një botë në të cilën janë të denigruar si mishërime të djallit, shtypjes, rendit patriarkal patologjik.

Lotët e Petersonit zbulojnë mashtrimin e përfshirë në punën e tij. Duke ngulmuar që dëgjuesit e tij janë në nevojë për udhërrëfim, Petersoni e vendos veten e tij në pozitën që teoricienët socialë e quajnë “autoriteti karizmatik.” Max Weber, i cili e prezentoi konceptin rreth vitit 1920, e përshkroi atë si “një lloj cilësie e një individi nga e cila ai shihet si i jashtëzakonshëm dhe trajtohet si i pajisur me pushtet mbinatyror, mbinjerëzor, ose të paktën pushtet më të veçantë.” Liderët karizmatikë si Petersoni e promovojnë veten si heronj vizionarë, zëra të vetmuar që bërtasin në egërsi. E pangarkuar me dyshime për veten ose vetëkritikë dhe pastaj mosduruese ndaj kujdesit intelektual, retorika e tyre është e madhe, e vrullshme dhe apokaliptike.

Ky është stili me anë të të cilit Petersoni edhe adreson edhe ushqen pasiguritë te burrat që i shohin identitetet e tyre tradicionale derisa iu rrëshqasin dhe janë të prekur nga ideja se do të zhvendosen nga anëtarët e grupeve të nënshtruara apo margjinalizuara. I kurthuar në një rrjet të kontradiktave performative, ai i dënon politikat identitare, duke shpallur “sovranitetin e individit,” por retorika e tij çon në identietet grupore tradicionale të ndjekësve të bardhë burra kundër kaosit postmodernist. Ai e dënon kulturën e viktimizimit duke inkurajuar djemtë e rinj të shohin veten si viktima.

Por lidershipi karizmatik kurrë nuk ka qenë për konsistencën logjike ose madje për koherencën racionale. Liderët karizmatikë mbajnë funksione në kohë të ndryshimeve rapide sociale, kur identitetet sociale që qëndronin gjatë vihen nën kërcënim. Ata i bëjnë reklamë një të ardhmeje të lavdishme në të cilën grupet për të cilat flasin të marrin vendin e duhur e të drejtë dhe që armiqtë e tyre të munden. Në këmbim të këtyre premtimeve, liderët karizmatikë ndjellin adhurim, e devocion madje deluzional nga mbështetësit e tyre.

Petersoni nuk bën përjashtim. “Të ndjekësh një kurs të tij ishte si të marrësh drogë psikedelike por pa drogë,” tha një ish-student i tij. “Mbaj mend studentë që qanin sepse nuk do të dëgjonin më Petersonin.” – vazhdoi ai. Në vend se t’i rezistonte një idealizimi të tillë, Petersoni e inkurajon atë. “Mendoj se kam mësuar dhe zbuluar gjëra që njerëzit e kohës sonë dëshpërimisht është dashur t’i dinin,” shkruan ai në Patreon.

Ka, natyrisht, një lidhje indime mes lidershipit karizmatik dhe autoritarizmit politik. Petersoni, si një akademik me një interes të thellë profesional në propagandë dhe psikoanalizë, duhet të lexojë eseun, “Psikologjia e Propagandës” nga psikoanalisti britanik Roger Money-Kyrle, që e vizitoi Gjermaninë gjatë zgjedhjeve të vitit 1933 që e sollën në pushtet Hitlerin. Pasi e dëgjoi tek fliste këtë të fundit, Money-Kyrle konkludoi që liderët autoritarë karizmatikë fillimisht ndjellin depresion dhe dëshpërim në audiencën e tyre, më pas terror paranoik nga një armik vrasës, para se të flasin për ofrimin e shpëtimit përmes një rendi që nuk e merr parasysh diskursin e arsyeshëm. Money-Kyrle mendonte se ankthet tona na bëjnë që të prekemi nga një lloj i tillë i retorikës – ankthe që liderët karizmatikë i eksploatojnë. Në këtë pikë, Petersoni iu ngjan populistëve si për shembull, presidentit të ShBA-së, Donald Trump.

Për dallim nga Trumpi, Petersoni të paktën jep pak finesa intelektuale, duke e mburrur Nietzschen si një mendimtar të dalluar. Por ai dështon që t’i japë kësaj dallueshmërie mjaftueshëm konsideratë. Për Nietzschen, pushteti është burim i shpëtimit, por ai e refuzon mendësinë e hakmarrjes dhe viktimizimit. Kjo është e qartë në sulmet që i bën Nietzsche figurës së priftit kishtar. Nietzsche i kuptoi tundimet e një lidershipi të tillë mbi burrat duke inkurajuar mosdurueshmërinë e tyre. Për dallim nga Petersoni, megjithatë, Nietzsche e njihte koston personale dhe sociale për një bëmë të tillë.

Petersoni do të bënte mirë të lexonte më nga afër kapitullin 78 të “Kështu foli Zarathustra”, të titulluar “Festivali i Gomarëve.” Këtu e gjejmë Zarathustrën, mësuesin e mbinjeriut, në fund të leksioneve të tij mbi vetëbesimin dhe perfeksionizmin, të rrethuar nga një masë adhuruesish të gatshëm t’i përkuleshin mjeshtrit të ri. Zarathustra urren të mbivendoset në atë mënyrë. Dhe në fund të festivalit, Zarathustra i neveritur i braktisë mbështetësit e tij. Ajo që thotë në fund Zarathustra për veshët e adhuruesve të tij është një përkujtues se rrugëtimi i një heroi shumë kollaj mund të frymëzojë adhurim të verbër për heroin.

Mos harroni, dr.Peterson.

Përkthyer nga Periskopi, marrë nga Foreign Policy

Shpërndaje në: