Këshilltar në GEN, u kap me mediat, luajti bamirësin: Krejt çka dëgjuam sot nga Martin Berishaj i skandalit

Këshilltar në GEN, u kap me mediat, luajti bamirësin: Krejt çka dëgjuam sot nga Martin Berishaj i skandalit

Pas rreth 7 muajve që nga shpërthimi i skandalit në mediat sllovene, ku i përfshirë dyshohet të jetë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ky i fundit pas shumë e shumë ftesave, e besa edhe shtyrjeve,  më në fund ka gjetur kohën dhe vullnetin të vijë për raportim në Komisionin Hetimor të Kuvendit. Berishajn sot për herë të parë e dëgjuam të thotë diçka më shumë përtej reagimit të shkurtër në Facebook atëherë. Ai fillimisht mohoi skandalin, duke e quajtur shpifje, pastaj pak u mor me media e gazetarë që raportuan, e pranoi se ishte këshilltar në kompaninë GEN, e madje tentoi të kallëxohet bamirës si dhe na bëri me dije se i pengoi termi ‘sekser’.

Mediat sllovene, në fillimvit kishin raportuar se ambasador Martin Berishaj dyshohet se i ka bartur 600 mijë euro para kesh nga kompania e tij në Mal të Zi, tek politikani slloven, Robert Golob. Sipas tyre, në xhirollogarinë MB Consulting, pronar i së cilës figuronte  Berishaj, i ishin derdhur nga një kompani serbe, në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj, shkruan Periskopi.

Mirëpo krejt këto pretendime, ambasador Berishaj i quajti të kota e shpifje.

‘’Tani këtu quhet aferë, rast. Ka qenë një prononcim i një portali që ka peshën e vet, natyrisht unë nuk jam marr me problemin e peshës së tyre por me problemin që ishte një ditë para zgjedhjeve në Slloveni. Qysh si 16 vjeç, atje kam studiuar e punuar. Unë  nuk e kam shiqu atë lajm njëherë, mirëpo teknologjia po e bën me kthy mbrapa dhe deri në të natë ka qenë niveli i përqindjes së njërës palë dhe tjetrës, 21:21 (zgjedhjet në Slloveni). Gjana koti që lidheshin me një shpifje që e ka folë prej portalit. Unë nuk jam marrë me atë se i biri i kujt e ka shkru atë tekst. Një djalë që e ka mbiemrin Petroviq. Baba slloven dhe kishte punuar në shërbim te diku tjetër. Ndoshta edhe me këtë ta përmbylli këtë prezantim se unë ashtu siç  kam propozu, unë e kam qitë në gjyq për shpifje. Atë portal që ka shpif sepse liria dhe  e drejta e shtypit nuk nënkupton të folë kujt çka t’i bjen ndërmend, por për një të vërtetë. Nëse ajo e vërtetë nuk argumentohet atëherë mundësia është të bëjmë një padi.’

Martin Berishaj e pranon se ishte këshilltar në kompaninë GEN

’ Unë kam qenë aty si këshilltar, unë kam dhënë këshilla politike se çka do të duhej të bënte një firmë GEN. Në vitin 2009 dhe bën shitblerje. Nga viti 2019, 2020 unë me ta nuk kam punu. E kam pasë shumë pasi kam fillu punën si ambasador jam i lirë prej këtyre cështjeve. Në Mal të Zi GEN është filial, për Ballkan ka qenë GEN në Beograd.’’, ka thënë ai.

E kush është GEN dhe cili është roli i kësaj kompanie, PERISKOPI këtu ju sjell sqarimin.

Martin Berishaj ju jep leksione gazetarëve: Kur ju mungon lapsi, baca Martin ua blen – S’kam pushkë për juve

Ambasadori në Kroaci, Martin Berishaj një pjesë të kohës së intervistimit sot në Komision Hetimor të Kuvendit të Kosovës, ia ka kushtuar mediave të vendit, raporton Periskopi.

Ai për mediat kosovare, që natyrisht kanë raportuar intensivisht për skandalin ku është i përfshirë ambasadori në Slloveni, thotë se duhet të raportohet e vërteta dhe se nuk i ka penguar në fjalë të lirë.

‘’Unë ju kam mbet borxh mediave të Kosovës se nuk kam folë asnjëherë sepse e respektoj fjalën e lirë dhe nuk i kam sulmuar.’’.

’Mediat ndërkombëtare, atë natë u përmend në Lubljanë dhe kurrë më. Sepse u fitua pushteti, asnjë televizion, as agjencioni shtetëror, as ai publik as privat. Shumicën e këtyre gazetarëve tonë i kam pasë studenta, ju kam thënë se kur ju mungon lapsi, baca Martin ua blen lapsin. Unë për mediat kosovare nuk kam pushkë. Ata kanë të drejtë të shkruajnë, por mirë është me i argumentu.’’, tha ai.

Berishaj: Nuk komunikova as me Kurtin, as me Osmanin, as me Rizavanollin

I pyetur nga anëtarët e komisionit, ai tha  se nuk ka pasur komunikim me kryeministrin, Albin Kurti e as me presidenten, Vjosa Osmani, e as me ministren Artanë Rizvanolli.

“Jo, nuk kam pasë sepse të gjitha komunikimet me kryeministriat, ministra, janë në mënyrë protokulare të shkruar ashtu siç duhet por as me gojë nuk kemi folë për atë çështje. Ato mjete nuk kanë përfundu as të kryeministri Kurti, as kërkun, nuk janë investuar dhe nuk kanë shkuar”, është përgjigjur Berishaj.

Flet për dy bizneset në Kosovë që nuk i deklaroi në Anti-Korrupsion

Ambasador Martin Berishaj, ka folur edhe për dy bizneset në Kosovë, për të cilat Agjencia Kundër Korrupsion kishte ngritur kallëzim penal ndaj tij për mosdeklarim të pasurisë.

”Njëri është Myloja L.L.C dhe Zasion Kosova. Berishaj ka thënë se arsyeja pse këto dy firma nuk figurojnë në deklarim të pasurisë është sepse, në të parën i ka shitur aksionet e tij më 2019 dhe e dyta nuk funksionon më dhe nuk ka asnjë qarkullim’’.

“Unë në atë firmë që ka funksionuar shumë pak e kam shitë më 12. 07.2019. në ARBK ka dalë edhe një firmë tjetër më 2007. Ajo nuk ka funksionuar kurrë dhe firmat që nuk funksionojnë, nuk ka qarkullim. Pasi është ba shitblerja e aksioneve, aksionet i kam shitë aq sa kam investuar. Kur blehet një ndërmarrje është problemi i atij që e blen për ta kthyer mbi veti. Kjo është arsyeja pse në deklarimin e pasurisë nuk figurojnë këto dyja ndërmarrje”, u shpreh Berishaj.

Berishaj hallin si mos ta dëmtojë buxhetin e shtetit nga udhëtimi i tij: Paret s’i marr, jo pse jam pasanik

Tutje, duke qenë se Komisioni Hetimor i Kuvendit të Kosovës e ksihte ftuar tash e disa muaj të vinte për intervistim, ai thotë se mund të qasej edhe përmes Zoom’it, pasi nuk donte ta dëmtonte buxhetin e vendit.

‘’Ekziston edhe mundësia me ZOOM, por kam ardhe dhe kam dashtë me kursy edhe buxhetin e shtetit. Ato të holla që janë të dedikuara për ardhjen time, unë nuk do t’i marr. Jo pse jam pasanik por nuk dua ta dëmtoj. Dua t’ia dha një familje që ka nevojë”.

E Driton Selmanaj ia ktheu që të mos e ketë dert, pasi ato janë çështje administrative dhe nuk lejohet.

S’e kuptova fjalën SEKSER

Martin Berishaj duket të jetë prekur pse e kanë etiketuar në Kosovë si sekser, transmeton Periskopi.

Madje thotë se nuk e kuptonte si fjalë.

”E kam dëgju një fjalë, që s’është as në shqip, sekser. Unë se kam ditë cka është’’, tha ai.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci Martin Berishaj, është emri kryesor i përmendur në skandalin e zbuluar financiar në Slloveni ku dyshohet se kandidati për kryeministër, Robert Golob, ka bërë shpëlarje parash dhe atë e ka ndihmuar ambasadori kosovar. Bëhet fjalë për 600 mijë euro. Sipas Agjencisë Kundër Korrupsion, ai nuk kishte deklaruar kompaninë përmes së cilës po del se i ka përfituar ato para.

Kompania GEN me zyre në Beograd, me të cilën u përfshi emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, po del se ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit, pikërisht në kohën e kolapsit energjetik.

Menjëherë ishte kërkuar dorëheqja e tij nga opozita e akterët tjerë, por diçka të tillë nuk e kishte marrë parasysh Qeveria Kurti./Kaltërina Misini – PERISKOPI/

 

Shpërndaje në: