Këshilla se si mund ta mposhtni varësinë e celularit
Ata shkrepin fotografi, i organizojnë jetët tona, na mbajnë në kontakt me më të dashurit tanë dhe na mundësojnë të kemi qasje në shumë video e foto argëtuese, por pavarësisht kësaj, telefonat e mençur po bëhen një problem që duhet zgjidhur.
Sipas studimeve të fundit, të rriturit në Mbretërinë e Bashkuar i kontrollojnë telefonat e tyre 33 herë në ditë, ndërsa për tinejxherët ky numër shkon deri në 90.
Por shpenzimi i tepërt i kohës në telefon të mençur është dëshmuar shkencërisht se ndikon në aftësinë tonë për të krijuar kujtime të reja, për të menduar thellë, për t’u përqendruar dhe për të absorbuar informacione.
Sipas Catherine Price, autore e ‘How to Break Up With Your Phone: The 30-Day Plan to Take Back Your Life’, ka disa ‘mjete’ të thjeshta të cilat mund t’i përdorni për të zhvilluar një lidhje më të shëndetshme me celularin tuaj dhe ta shfrytëzoni më mirë.
Një nga gjërat që sugjeron Price është të caktoni limite dhe të bëheni të vetëdijshëm për kohën sa e shpenzoni në celular.
Këtu ajo sugjeron të merrni masa duke shkarkuar aplikacione të cilat e monitorojnë kohën sa e shpenzoni në telefon dhe kur e shpenzoni atë.
Duke bërë kështu, ju do të bëheni më të vetëdijshëm për gjërat që ju nxisin ta përdorni telefonin dhe, si rezultat i kësaj, ta reduktoni kohën që e shpenzoni.
Njëkohësisht është ide e mirë që të krijoni periudha të caktuara të ditës kur qëndroni pa telefon fare.