Kërkohet paraburgim për të dyshuarin nga Obiliqi i cili dhunoi të miturën që mbeti shtatzënë
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, për të dyshuarin nga Obiliqi i cili dyshohet se ka dhunuar një të mitur, e cila pastaj ka ngelur shtatzënë.Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Prokuroria ka paraqit kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi””, ka thënë Ulaj.
Ndryshe dje Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se viktima femër shtatzënë ishte pranuar në QKUK, dhe se lidhur me këtë rast është arrestuar një i dyshuar.
Edhe nga Prokuroria dje kishin bërë të ditur se viktima ishte e mitur.“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e një (1) personi, i dyshuar për veprën penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së.
Meqë rasti i takon procedurës për të mitur, nuk mund të japim detaje, derisa ju njoftojmë se ndaj të dyshuarit do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore”, kishin thënë nga Prokuroria. /Telegrafi/