Kërcënoi kryeministrin Kurti, arrestohet 20 vjeçari nga Zveçani
Policia e Kosovës ka arrestuar një person, pasi i njëjti dyshohet se ka kanosur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se i dyshuari ka bërë kërcënime për dhunë në emër të “Brigada sever”.
“Me datën 07.01.2025, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda- DHKOKR Prishtinë, ka iniciuar rast për veprën penale “Kanosje”, ku përmes rrjeteve sociale është kanosur Kryeministri i Republikës se Kosovës, si dhe postime kërcënuese për dhunë në emër të “Brigada sever” – tha ai.
I dyshuari, sipas policisë është 20 vjeçar nga Zveçani, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, është gjetur një armë gjuetie pa leje.
“Nga veprimet hetimore është identifikuar i dyshuari M. R. (mashkull kosovar, viti i lindjes 2004), i cili sot me datën 10.01.2025 në Zveçan, është ndaluar dhe është marr në pyetje në prezencë të avokatit mbrojtës sipas autorizimit, si dhe është kryer kontroll në adresën e banimit të tij, ku është gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie pa leje.
Pas përfundimit të marrjes se deklaratës me vendim të prokurorit kujdestar nga PTH Mitrovicë, të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit Policor prej 48 orëve” – ka thënë Kelani për Nacionale.
Në fund, ai ka shtuar:
“Hetimet lidhur me rastin do të vazhdojnë nën autorizimin e prokurorit të rastit nga PTH Mitrovicë”.