Keqkuptime thelbësore në sulmet ndaj Krastës në Kosovë
Shkruan: Mero Baze
Sulmet ndaj Adi Krastës në Kosovë, nga komuniteti i gazetarëve, janë të paargumentuara dhe nuk bazohen tek objektivat e tij për karrierë në RTK, por tek referencat e shpikura për “disidencën” e tij në Shqipëri.
Ka gjithmonë një keqkuptim mes Shqipërisë dhe Kosovës sa i përket profilit të intelektualëve, gazetarëve apo personaliteteve të tjera publike. Promovimet e tyre të ndërsjella shpesh janë klienteliste. Në këtë listë bën pjesë dhe Adi Krasta.
Po të shikosh shumicën e njerëzve të zemëruar në Kosovë me Adi Krastën, i referohen atij si disident i Edi Ramës dhe Sali Beirshës në gazetari, në Shqipëri.
Dhe pas kësaj ndjehen të revoltuar.
Nëse e keni seriozisht se keni marrë në punë një “disident” të Edi Ramës apo Sali Berishës, nuk keni asnjë të drejtë të reagoni ndaj tij. Adi Krasta nuk e pretendon besoj as vetë këtë gjë. Vetëm nëse ua ka thënë në ndonjë kafe në Prishtinë.
Ai është një person popullor në Shqipëri, si prezantues i programeve muzikore, duke e nisur qysh në vitin 1992, pastaj me prezantim misesh apo festivalesh në radiotelevizion.
Është nga më të mirët në këtë fushë.
Dikush e ka rrahur kur ka qenë Berisha në pushtet, ndërkohë që prezantonte misse dhe festivale, pa u marrë me politikë, por as ai, as Berisha, nuk e kanë sqaruar, as kur u bënë miq bashkë në televizionin e Berishës.
Po ashtu është përhapur një legjendë nga Berisha, se Krasta është zënë me Edi Ramën gjatë një pritje të ngushtë në vitin 2013. Edi Rama ka thënë se kjo nuk ka ndodhur, kurse Krasta nuk ka folur, por ka folur Berisha në vend te tij.
Nëse këto dy akte quhen disidencë dhe merren për gazetari, është problem i atyre që e kanë besuar në Kosovë, jo i Adi Krastës. Nëse jeni hutuar pas të folurit rrjedhshëm dhe shpejt, nuk ju vë faj. Por ajo quhet ligjërim, jo disidencë. Po të ishte disidencë të folurit rrjedhshëm dhe pa fund, më i madhi “disident” në këtë fushë do ishte Fatmir Mediu, i ndjekur nga Grida Duma.
Lëvizjet e Krastës nga një TV në tjetrin kanë qenë çështje kontratash, jo disidencë politike. Ai u largua nga Top Channel për performancë të ulët të programit dhe e sulmoi atë pastaj si televizion që financohet nga droga, dhe filloi punë tek Agon TV, një televizion i familjes italiane që është nën akuzë, dhe me disa pjesëtarë familje dënuar si pjesë e mafias së plehrave në Romë. Pastaj pati një thyerje zemre dhe u kthye prapë në Top Channel, pasi nuk vinte më era drogë, dhe në fund përfundoi tek një TV familjar i Berishës.
Këto lëvizje kërkojnë një farë trimërie, por jo disidencë.
Adi Krasta vazhdon punon në televizionin e Berishës në Shqipëri, paralelisht me të qenit nëndrejtor i RTK në Kosovë dhe të gjithë kemi menduar se ka shkuar në Kosovë për ndonjë koncert apo prezantim të festivalit të këngës.
Tani është e qartë se ai po bëhet drejtor i Radiotelevizionit të Kosovës para zgjedhjeve. Mendoj se Albini nuk e ka menduar keq. Një prezantues televiziv, apo shoumen, është i përshtatshëm për të drejtuar një televizion kombëtar që kërkon ta përdorësh politikisht, se duke mos qenë gazetar, i kushton më shumë rëndësi anës artistike të televizionit dhe programeve argëtuese, ndërsa kryeredaktor bëhet një komisar/e politik, ose në rastin konkret kjo shefja e kabinetit të Albinit, që ka arritur t’ia bëjë Albinit më të dashur Greqinë se Shqipërinë për katër vite.
Por Krastën nuk mund ta pengosh të bëhet drejtor i RTK në Kosovë, duke shpikur arsyetime të tipit “në Shqipëri ke qenë disident” e këtu jo. Nuk po konkurron për disident, por për drejtor të televizionit publik, nën mbështetjen e partisë në pushtet.
Mos bëni betejë me keqkuptimet tuaja. Ose bëni betejë të ruani RTK si televizion publik, dhe kjo është mbi të gjitha betejë politike, ose pranoni kandidaturat e Albin Kurtit. Në këtë rast nuk e ka zgjedhur keq. Krasta bën pjesën e shout argëtues, kurse Albini e Dejona atë të shout politik.