Këngëtarja e njohur humb familjen nga tërmeti në Durrës
Mes familjeve që mbetën nën rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit ishte dhe familja Reçi, me origjinë nga Mirdita dhe që banonte në Durrës.
Këngëtarja e njohur shqiptare, njëherësh edhe prezantuesja televizive Evi Reçi, është ajo e cila për fatin e saj të keq nga tërmetet në Durrës ka humbur xhaxhanë, fëmijët e xhaxhait dhe shoqen e ngushtë. Tërmeti iu mori jetën të katër anëtarëve të familjes, Eduard Reçi, 54 vjeç, Dolora Reçi, 49 vjeç, dhe dy fëmijët e tyre, Kristi Reçi, 25 vjeç, dhe Klaus Reçi, 21 vjeç, të cilët dje u varrosën. Ajo në një postim të prekshëm të bërë në orët e vona të së enjtes ka rrëfyer për tragjedinë e trishtë, nga e cila ka mbetur zemërthyer dhe e pikëlluar.
“Të pranosh të papranueshmen. Me ndodhi dhe mua. I ndodh kujtdo. Sa e çuditshme! Në momente të vështira dhe të dhimbshme, të rikthehen në mendje kujtimet më të bukura… Ashtu mu kujtua dhe Kristi im, që kërcenim dhe këndonim bashkë, ashtu dhe Klausi që qante që se merrnim me vete se ishte i vogli e në të “mëdhenjtë”, ashtu dhe Axha Edi që humori verior ishte në çdo fjalën e tij, ashtu dhe Dolora që dedikoi jetën për familjen e saj.
Po ashtu me rikthehu kujtimet dhe Diena, shoqja ime e fëmijërisë… dilnim, bënim thashetheme, ndanim sekretet. Siç ishte në fillim dhe ‘sekreti’ për dashurinë tënde, për Dorin që me pas të pikturoi jetën me portretin e Esielës e vogël që tu bë motivi i jetës. Ishit të gjithë bashkë. Një pse e madhe, një boshllëk i madh, nga një termet i madh. Zemrën e kam plagë! Një faleminderit për të gjithë ju që më keni shkruar dhe më keni qëndruar afër çdo moment me dashurinë dhe dashamirësinë tuaj. Zoti ju bekoftë” , shkroi Evi në Instagram.