Kënga e re e Geasy, Majk dhe Ermal Fejzullahut është thjesht definicioni i bërllokut

Kënga e re e Geasy, Majk dhe Ermal Fejzullahut është thjesht definicioni i bërllokut

Jo, seriozisht.

Nuk e ekzagjërojmë kur themi ‘bërllok’. Nuk mund t’i japim tjetër epitet atyre 2 minutave e 48 sekondave të cilat na shkaktuan siklet e kruarje neveritëse.

‘Se krejt i baj une për dashni,’ janë fjalët me të cilat fillohet kënga, pas një introje të shkurtër nga Majk, i cili thotë ‘sytë dojnë me pa këtë dashni’ – sikur ne duhet të pretendojmë se kanë sens këto fjalë, të cilat ai ka pasur kohë sa të dojë t’i përmirësojë e t’i mendojë, e pastaj të vijë me dicka më kreative se thjesht të mundohet të na fyejë intelegjencën.

Kulminacioni, edhe pse janë vetëm 20 sekondat e parë të këngës, arrihet kur i nderuari Ermal Fejzullahu thotë ‘ajo po don parra, ajo po don parra’, në tentativë dëshpëruese për ta nxitur audiencën që të krijojë simpati për këngën, e cila përcillet nga disa rrahje tupanësh dhe shtrëmbërime të zërit që thjesht ju bën më shumë të preferoni ta godisni murin me kokë se ta dëgjoni.

Ideja është e qartë… të krijohen tinguj që e sulmojnë masën e rëndomtë, të cilës i ofrohet platformë perfekte ta mësojë përmendësh vargjet mbi të cilat njohësit e muzikës dhe të artit do të pështyenin pa pikë njerëzillëku.

Deri tash folëm vetëm për 20 sekondat e parë të këngës, e cila pastaj përcillet nga një pjesë e Majk i cili shprehet: ”Ajo o ka don Gucci, Loui e Versacce, jetën e shtrejtë thirre Bugatti” – klisheja e pavdekshme në përmendjen e disa brendeve të njohura të veshmbathjeve, sikur ajo duhet të na bëjë përshtypje, e pasuar nga një tentativë e tmerrshme për metaforë si ‘jetën e shtrejtë, thirre Bugatti’.

Oh Zot i madh… dhe nuk duam fare të futemi në atë pjesën kur ai fillon të përmend vende të rëndomta si Maldive, Dubai e Mallorca e fjalën La Vida Loca…

Geasy poashtu e vazhdon tmerrin me San Torini e Shën Valentini, edhe pse nuk arrin ta barazojë horrorin e këtyre dy të mëhershmëve.

Ju paralajmërojmë, nëse i dëgjoni shumë gjatë tingujt e vargjet e mëposhtme, mund t’u shkaktojnë gjakderdhje në vesh. /Periskopi.com/

 

Shpërndaje në: