Kënga dhe deklarata e fundit e Taynas, dëshmon se për të jemi thjesht ‘kope mjelëse’
Ajo thjesht nuk di t’ia qëllojë qoft edhe njëherë.
Sinqerisht, të flasim nga brendësia e zemrës… cila këngë e Taynas ia vlen të dëgjohet?
Mendoj, vajza ka telashe të mëdha të krijojë diçka që i vjen afër gjithçkaje që ka të bëjë me artin, shkruan Periskopi.
E kuptojmë, nëse jeni duke e menduar… Tayna është ‘fun’ dhe zbavitëse për një grumbull çikash kur bëhen bashkë dhe pinë nga një teke, ose për pixhama party të 18-19 vjeçareve, por e kuptoni se, pavarësisht tentativave dëshpëruese, ajo asnjëherë nuk ia del të na demantojë, në asnjë lloj forme. Vajza nuk rresht së publikuari këngë dhe asnjë ‘classic’.
Madje, është e vështirë ta identifikojmë ndonjë këngë të saj përmes titullit, pasi shumica kanë tematikat e njëjta, ose të ngjashme, pa kurrfarë përmbajtje.
Mirëpo, për një gjë meriton respekt… ajo më thjesht as nuk po mundohet ta fshehë se krejt këto po i bën vetëm sa për benefite materiale dhe audienca nuk është asgjë tjetër për të veç një kopeje mjelëse, të cilës sigurisht se i drejtohet sa herë ka ndonjë problem financiar, apo edhe për të shtuar fondet. Pse jo, sa më shumë aq më mirë.
As nuk do të tentojmë të futemi në analizë të projektit të saj të ri, të quajtur ‘Taka’.
Mendoj, vetëm analizoni rreshtat e parë: ”Sa mirë pe dridhë ti me taka, taka, taka, taka. Sa mirë pe sillë ti me taka, taka, taka, taka.”
Nuk duam të tingëllojmë si një gazetë toksike dhe që paraqet vetëm anët negative, por OH ZOT I MADH.
Sinqerisht, me mish e me shpirt mundohemi në secilin tekst të tillë të gjejmë diçka që na bën t’i balancojmë paksa gjërat, me kritika por të jemi objektivë edhe në lavdatat.
E dini sa sfiduese është të gjendet diçka pozitive në një projekt si ky i fundit i ‘Taynas’, dhe në të gjitha këngët e tjera të saj?!
Njerëz, vetëm analizoni muralin prapa saj në videoklip. Ajo vërtetë i vendosi fjalët ”p*ssy power” në prapaskenë!
Literalisht, ajo tingëllon si dikush që ka ZERO dashuri dhe pasion për zhanrin e muzikës që e kultivon. Në fakt, ajo ka gjasa që edhe mund ta urrejë atë. Po, është aq e rëndë situata.
E kemi thënë disa herë dhe po e themi prapë, po të mos ishte për klipin patetik – ku si gjithmonë shfaqet në rroba ‘wanna be’ seksi, duke na trajtuar 1.8 milion kosovarë si budallenj dhe injorantë që janë të etur vetëm pas trupave të zhveshur – askush nuk do ta dëgjonte këtë këngë.
Dyshoni në aludimet tona se ajo krejt këto i bën vetëm sa për ta mjelur audiencën për një kohë pasi, dihet, gjërat e tilla zgjasin vetëm 3-4 vite, hidhjani një sy deklaratës së saj të fundit.
“Tri koncerte i bëj në një natë, kështu që xhepi im nuk është kurrë i thatë,” ka shkruar ajo në një postim së fundmi.
Zonja thjesht as nuk e fsheh më. Tri koncerte për një natë, madje i quan edhe ‘koncerte’.
Përveç që është fizikisht dhe mentalisht e pamundur në suaza të një artisti ‘normal’ të arrihet kjo, është qartazi mesazh i zëshëm dhe i qartë. NE JEMI KOPE MJELESE për të. Sigurisht, po të mundte, do t’i bënte edhe nja dy koncerte të tjera në të njejtën natë, jo se do ta mendonte shumë për nivelin e performancës që do ua sillte fansave të saj, të cilët duhet të kenë paguar dhjetra euro për ta parë.
As nuk do të futemi në nivelin e paraqitjes skenike të saj, play-back, 20-30 minuta tundje e shturje në skenë, qartazi para ‘kopesë’ së saj dhe njerëzve që i sheh vetëm në formë të euros.
Na vjen keq nëse tingëllojmë të vrazhdë, por nuk mund t’i japim etiketim tjetër pos NEVERITESE kësaj që po shohim e dëgjojmë. /Periskopi.com/