Kelmendi tregon skenarin e kapjes së KPM-së nga pushteti: Do të dënohen mediat derisa të mbetet TVVV, vetëm atëherë kënaqet lideri
Komisioni i Pavarur i Mediave ka zgjedhur kryetarin e ri të saj, Besnik Berishën, ende pa i përfunduar mandati kryetarit aktual, Jeton Mehmetit.
Kjo u bë duke ndryshuar rregulloren, për t’ia hapur rrugën zgjedhjes së kryetarit të ri.
Lidhur me këtë, ka reaguar gazetari Adriatik Kelmendi.
Ai ka hamendësuar një skenar se çka mund të vijë tani me ndryshimet në KPM.
Përmes një postimi në Facebook, Kelmendi tha se derisa ”TVVV mbetet vetëm, atëherë lideri mund të kënaqet me mediat”, duke aluduar në kryeministrin Albin Kurti.
Postimi i plotë:
Qe një skenar:
KPM-ja dërgon vërejtje. Një mysafir në Rubikon e ka thënë se një ministër ka vjedhur. 1 mijë euro dënim.
Të nesërmen, vërejtja tjetër. Mysafiri tjetër ka thënë se një deputet është i padijshëm. 5 mijë euro dënim.
Ditën e tretë. Një mysafir e ka quajtur kryeministrin – Alpin Kurti. 20 mijë euro dënim.
Të katërtën ditë. Në emision presidentja është quajtur plesidente. 40 mijë euro dënim.
Dita e pestë. Policia bllokon hyrjen në televizion se nuk janë paguar dënimet. Ndalohet sinjali.
Java e dytë. TV21 i ka ftuar vetëm dy mysafirë. KPM-ja mendon se është dashur tre. Disa gjoba nga KPM-ja. Dhe dryni.
Java e tretë. Një mizë në studio të T7-shit. Dryni.
Java e katërt. KTV-ja. Studioja shumë e errët. KPM-ja do dritë, optimizëm. Drynin, menjëherë.
Java e pestë, e gjashtë…
Derisa mbetet vetëm TVVV. Vetëm atëherë kënaqet Lideri. Flet vetëm ai. Dëgjohet vetëm ai.
Dikur mjaftohet vetëm të flasë – vet me vete.