Kearns: Radoiçiq dhe përgjegjësit e sulmit në Banjskë të përballen me drejtësinë
Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka kujtuar njëvjetorin e vrasjes së Afrim Bunjakut nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Në një postim të saj të fundit në platformën sociale ‘X’, ka kërkuar që Milan Radojçiq dhe përgjegjësit e tjerë të sulmit në veri të ballafaqohen me drejtësinë.
Sipas saj drejtësia është e nevojshme për paqen dhe pajtimin në Ballkan.
“Një vit nga sulmi i Banjskës. Një vit nga vrasja e Afrim Bunjakut. Milan Radojçiq dhe përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë. Drejtësia është e nevojshme për pajtimin dhe paqen në Ballkan”, ka shkruar deputetja britanike.
Po ashtu, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që të gjithë të përfshirët në sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit një vit më parë të mbahen përgjegjës.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, bëri homazhe te varri i Bunjakut në Vushtrri më 24 shtator.
“Sot iu bashkova Qeverisë së Kosovës dhe kolegëve të mi diplomatikë për ta nderuar kujtimin e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në detyrë në sulmin e Banjskës, një vit më parë. Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjet dhe presin që kryerësit dhe të gjithë të përfshirët në këtë krim të tmerrshëm të mbahen përgjegjës”, shkroi Hovenier në X.
Ndërkaq, BE-ja tha se pret nga Serbia të ndërmarrë hapa të nevojshëm për t’u siguruar që të dyshuarit për kryerjen e sulmit vdekjeprurës në Banjskë të japin llogari.
Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe e akuzon shtetin e Serbisë se ka gisht në të. Serbia i ka mohuar akuzat.
Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për këtë sulm.
One year since the Banjska attack.
One year since the murder of Afrim Bunjaku.
Milan Radoičić and those responsible must face justice.
Justice is requisite for reconciliation and peace in the Balkans. pic.twitter.com/wgBorS4sXH
— Alicia Kearns MP (@aliciakearns) September 24, 2024