Kearns i reagon ashpër BE-së: Po tenton ta ndëshkojë Kosovën për hapjen e një ure, ndërsa injorohet situata në Banjskë
Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve të Bashkimit Evropian për masa të reja nëse Qeveria e Kosovës vepron njëanshëm duke hapur Urën e Ibrit.
Bashkimi Evropian shpreson që Kosova të dëgjojë mesazhin e bllokut dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë sa i përket vendimeve të fundit, që janë cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se blloku e ka bërë të qartë qëndrimin sa i përket mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në Kosovë nga autoritetet, por edhe synimit të Qeverisë së Kosovës që të hapë për trafikun urën mbi lumin Ibër.
Ai tha se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veri, janë ende në fuqi.
“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëbotë thamë që masat janë progresive, ato mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimi i situatës. Kjo pjesë prek pjesën e parë të pyetjes, se çfarë do të bëjmë [pas vendimeve të fundit të autoriteteve në Kosovë]. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë akterët e BE-së”, tha Stano.
Kearns ka shprehur shqetësimin e saj për kërcënimet e BE-së ndaj Kosovës, duke theksuar se marrëveshja për hapjen e Urës së Ibrit ishte nënshkruar në vitin 2015 me afatin e zbatimit në vitin 2017, dhe ka pyetur pse kjo marrëveshje trajtohet ndryshe nga të tjerat që BE-ja i ka imponuar Kosovës.
Kearns ka kërkuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe ekipi i ri i BE-së që të bëjnë të qartë se mbështesin ndërtimin e urave në Kosovë, dhe jo bllokimet e rrugëve dhe ndarjen.
Ajo gjithashtu ka kritikuar BE-në për mosveprimin ndaj Serbisë, pavarësisht provave të shumta që lidhin Milan Radoiçiq dhe sulmuesit e Banjskës me shtetin serb.
Sipas saj, ndëshkimi i Kosovës për hapjen e një ure, ndërsa injorohet situata në Banjskë, sugjeron se vetë procesi është thellësisht i padrejtë dhe ka nevojë për reforma urgjente.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të enjten se Kosova nuk duhet ta pyesë Serbinë për hapjen e urës brenda territorit të Kosovës, dhe nuk duhet pranuar që të diskutohet për këtë çështje në dialogun e Brukselit.
Sipas saj, deklaratat e fundit të BE-së në këtë temë janë “raciste” dhe se Kosova duhet koordinuar plotësisht me Shtetet e Bashkuara sa i përket hapjes së urës.
Appalled to see the EU threaten Kosovo with further negative measures should Ibar Bridge reopen.
This was agreed in 2015 with an implementation date of 2017 – why is it different to the other previous agreements EU is forcing Kosovo to uphold?
The new UK Govt and new EU team…
— Alicia Kearns MP (@aliciakearns) August 15, 2024