KE-ja e mohon se ka fshehur shtrimin në spital të Ursula von der Leyen

KE-ja e mohon se ka fshehur shtrimin në spital të Ursula von der Leyen

Komisioni Evropian ka mohuar të hënën se është përpjekur të fshihte gjendjen shëndetësore të presidentes së tij, Ursula von der Leyen, pasi ajo ishte shtruar në spital me pneumoni të rëndë.

Von der Leyen, 66 vjeç, është figura politike e profilit më të lartë në BE. Në shtator, ajo shënoi fillimin e mandatit të saj të dytë pesëvjeçar si presidente e Komisionit duke udhëtuar në Ukrainë dhe më pas në Amerikën e Jugut për një takim të madh tregtar, raporton AP.

Më 3 janar, Komisioni kishte thënë se von der Leyen ishte e sëmurë me “pneumoni të rëndë” dhe se takimet e saj për dy javët e ardhshme ishin anuluar. Ai ka bërë të ditur se agjenda e saj ishte pastruar nga takimet në Lisbonë dhe në Poloni, e cila sapo ka marrë presidencën e radhës të BE-së.

Nuk u dhanë detaje rreth gjendjes së saj apo se si është sëmurë, por agjencia gjermane e lajmeve dpa më vonë raportoi se ajo ishte shtruar në spital. Agjencia ka ngritur pyetje në lidhje me transparencën në degën e fuqishme ekzekutive të BE-së.

E pyetur nga gazetarët se pse lajmet për shtrimin e saj në spital ishin fshehur, zëdhënësja e Komisionit, Paula Pinho ka thënë se ata kishin njoftuar se ajo kishte pneumoni të rëndë.

“Prandaj ne ju dhamë informacionin kritik për gjendjen shëndetësore të presidentes, duke thënë se çfarë sëmundje kishte dhe sa e rëndë ishte”, ka thënë Pinho në përgjigje të pyetjeve të disa gazetarëve, pa shpjeguar pse u fshehën detajet e spitalit.

Von der Leyen raportohet se ka kaluar tetë ditë në spital.

Pinho ka shtuar se presidentja “po shërohet” dhe se do të kthehej në Bruksel në fund të kësaj jave./koha

Shpërndaje në: