Kë duhet ta votojmë në zgjedhjet që po vijnë?
Po aviten zgjedhjet e reja parlamentare. Përsëri do të jenë të parakohshme. Kjo sepse rrebanët multimilionerë që ne iu referohemi si politikanë, kanë qëlluar me ego tepër të lëndueshme. Asnjëherë qeveritë nuk janë rrëzuar nga Opozita, pavarësisht që kemi pasur protesta masive e me raste edhe të dhunshme. Qeveritë janë rrëzuar nga rrebet e Hashim Thaçit dhe së fundi të Ramush Haradinajt. Në vitin 2011, PDK-ja e kishte prishur koalicionin me LDK-në dhe e kishte rrëzuar qeverinë me një vendim të marrë përngutshëm në një klub nate në kryeqytet. Ndoshta kryetari kishte qenë i pirë. Kushedi. Ai vendim ishte mohuar e më pas ishte rikthyer për t’u lidhur një koalicion me AKR-në. Qeverinë e Isa Mustafës e rrëzuan sepse nuk prodhonte mjaftueshëm skandale sa Qeveritë Thaçi 1 e Thaçi 2.
Haradinaj ndërkohë, jo vetëm që e përmbushi standardin për skandale nga PDK-ja, por edhe e kapërceu. Ai ishte aq skandaloz sa mund ta çonte qeverinë deri në fund të mandatit sa për PDK-në. Por ja që, kryeministri qëlloi njeri me rrebe dhe e dorëzoi dorëheqjen nën pretekstin se nuk donte të intervistohej si kryeministër para Gjykatës Speciale. Por, multimilioneri në fjalë do të paguajë avokatët e Speciales, njësoj si të tjerët, përmes parave të Qeverisë. Sepse, kështu është vendosur shumë kohë më parë.
Këto qeverisje përveç që kanë abuzuar me pushtetin dhe i kanë ngopur apetitet e militantëve të tyre, kanë krijuar edhe dramë e intriga. Por të cilat nuk gravitonin kah problemet e qytetarëve, nga çështjet publike, por krejtësisht kah hatërmbetjet e njëri-tjetrit. PDK-ja është parti personale e Hashim Thaçit e Kadri Veselit. AKR-ja e Behgjet Pacollit. AAK-ja e Ramush Haradinajt. Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt. E kështu me radhë. Dhe duke qenë parti personale, ndërveprimet politike në vend janë kryesisht ndërveprime personale. Dhe qeveritë nuk prishen për arsye programi a politikash, por kur ndonjë prej këtyre rrebanëve ndihet i fyer a i lënduar prej tjetrit. Dhe, kësisoj në pambarim ne do t’i gjejmë duke u sharë e duke u pajtuar me njëri-tjetrit, si nëpër telenovela bajate.
E kam përsëritur qe sa herë që në Kosovë ekzistojnë vetëm dy politik-bërës: në një anë, ambasadori i ShBA-ve dhe në tjetrën, Albin Kurti i Vetëvendosjes. Të gjithë këta rrebanë lëvizin sa në njërën anë, në tjetrën. Sa i marrin diskursin Ambasadës abuzive Amerikane në Prishtinë, sa i marrin fjalët dhe qëndrimet e z.Albin Kurti.
Rastin më të mirë e gjejmë te presidenti Hashim Thaçi. Nga një i nënshtruar i diskursit të kësaj ambasade dhe i politikave që donte t’i çonte përpara, siç dëgjohej në përgjimet e “Prontos”, ai u bë i nënshtruar ndaj diskursit të kryetarit të Vetëvendosjes. Më parë ishte një ndër promovuesit më të flaktë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (Zajednicës) e tash u bë një ndër kundërshtarët më të rreptë të saj, si z.Kurti. Po ashtu, ai u bë kundërshtar edhe i Gjykatës Speciale dhe promovoi po si Kurti idenë e Bashkimit Kombëtar me Shqipërinë.
Rrebanët multimilionerë nuk kanë mundësi të rezonojnë me fiqirin e tyre për problemet reale me të cilat përballen qytetarët e Kosovës. Dhe, a e shihni se sa bajate tingëllon si fjalë: “Problemet reale të qytetarëve të Kosovës!” Kjo sepse, drama e prodhuar është bërë gjithnjë e më intriguese, me personazhe që e kanë rritur masën e banalitetit të ofruar. Dhe jo rastësisht, televizionet tona gjithnjë e më shpesh thërrasin personazhe banale nëpër emisione politike, vetëm që t’i mbajnë të gozhduar para televizorëve e telefonëve të tyre qytetarët e vendit. Por, krejt kjo zhurmë nuk prodhon kurrfarë efektesh politike. Në prapavijë, pushtetarët vazhdojnë zgjerimin e rrjetës së klientelizmit në mënyrë që të mbajnë të forcuar bazën e votuesve me të punësuarit dhe familjet e tyre.
Por, hajt të bëhemi sikur besojmë në ekzistencën reale të qytetarëve të vendit. Hajt të bëhemi sikur besojmë në ekzistencën tonë reale. Të bëhemi kinse edhe ne kemi jetë tonën.
Rritja ekonomike e vendit nuk po përkthehet në mirëqenie qytetare, apo ulje të varfërisë e papunësisë, por vetëm në akumulim kapitali për klasën në pushtet dhe për disa biznesmenë të fuqishëm afër tyre. Ndërkohë që sistemi arsimor vazhdon të mos prodhojë fuqi të kualifikuar punëtore sepse fuqia e pakualifikuar punëtore shfrytëzohet e sundohet më kollaj. Mekanizmat e shtetit ndërkohë, nuk funksionojnë si duhet dhe shumë e shumë njerëz po e pësojnë keq nga kushtet e tmerrshme në vendin e punës që me raste i çojnë edhe drejt vdekjes, e nga rrogat e vogla që i lënë thjesht në mbijetesë. Këto mbesin thjesht “gjëra që ndodhin!” Pa takat të mjaftueshëm për t’u bërë pjesë e debateve politike.
Ndërkohë, përballemi edhe me telashe të shumta sociale e të cilat rrënjët i kanë pikërisht te mungesa e përgjegjësisë publike të këtyre rrebanëve. Një ndër to, është stigmatizimi i fëmijëve me paaftësi. Vetëm 12 për qind prej tyre shkojnë në shkollë sipas raportit të zyres së Unicefit në Kosovë. Dhe kur jemi te 12 për qindëshi, sipas statistikave zyrtare, vetëm 12 për qind e grave janë pjesë e tregut të punës. Shumë prej tyre po hanë dajak në shtëpitë e tyre, po ngucen e dhunohen seksualisht në rrugë, ndërsa Policia e Kosovës po vazhdon të dështojë në mënyrë spektakulare që t’i adresojë. Veç kësaj, 60 për qind e të rinjve, po sipas statistikave zyrtare, janë të papunë. E rroga minimale për të rinjtë është veç 130 euro.
A ka ndonjë parti e cila premton se këto çështje do të adresohen? Për fat të keq, çështja aktualisht është kthyer në evidentimin e personazhit të mirë ose më pak të keq brenda kësaj drame. Dhe shoqëria vetë është bërë tepër apatike dhe tepër e pangopur me këtë dramë të pafundmë.
Unë propozoj të votojmë për ndryshim. Dhe të votojmë sidomos njerëz që nuk vuajnë nga ego tepër të shqetësuara e që duhet krehur pa mbarim. T’i japim fund dramës. Ne ekzistojmë përnjëmend! Nuk jemi figurantë të një trilli, e as shikues të tij. Dhe këta rrebanë nuk duhet t’i tolerojmë që të jenë kryepersonazhe të jetëve tona.
Nisur nga kjo, i propozoj Albin Kurtit dhe kreut të ri të LDK-së që në fushatën elektorale të shpërfillin.