KDI: Kurti po sfidon parimin e sundimit të ligjit me refuzimin për të dëshmuar në Prokurori

KDI: Kurti po sfidon parimin e sundimit të ligjit me refuzimin për të dëshmuar në Prokurori

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me refuzimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për t’u paraqitur në ambientet e Prokurorisë Speciale në rastin e njohur si “Rezervat Shtetërore”.

Sipas KDI-së, ky veprim minon parimin e sundimit të ligjit dhe barazisë para tij, duke krijuar përshtypjen se zyrtarët e lartë mund të shmangen nga detyrimet ligjore.

Organizata thekson se insistimi i Kryeministrit që dëshmia e tij të zhvillohet në zyrën e tij dhe jo në Prokurori përbën precedent të rrezikshëm dhe bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi.

“Sundimi i ligjit nënkupton se askush, pavarësisht pozitës apo funksionit, nuk gëzon trajtim të veçantë përballë institucioneve të drejtësisë. Nëse kreu i Qeverisë mund t’i shmanget thirrjeve të Prokurorisë, atëherë ky veprim mund të legjitimojë një praktikë të tillë edhe për zyrtarët e tjerë publikë apo qytetarët e zakonshëm,” thuhet në reagimin e KDI-së.

Instituti thekson se në një demokraci funksionale, udhëheqësit institucionalë duhet të japin shembullin më të mirë në respektimin e ligjit.

Ata i bëjnë thirrje kryeministrit Kurti që të paraqitet pa kushte në Prokurorinë Speciale, duke vlerësuar se ky veprim do të forconte besimin e publikut në institucione dhe do të tregonte se askush nuk është mbi ligjin.

Shpërndaje në: