Kçiçi i Mitrovicës tani me rrjet të ri elektrik

Periskopi.com Lajme

Investimet e radhës nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike KEDS, kanë zbritur edhe në një rajon të rëndësishëm të Mitrovicës, përkatësisht në Kçiç.

Investimet e KEDS të shtrirë në fshatin Kçiç të madh, po ndikojnë drejtpërdrejt në furnizimin kualitativ dhe stabil me energji elektrike. Ato gjithashtu kanë efekt në rënien e humbjeve dhe sanimin e rrezikut nga ekspozimin i qytetarëve në rrjetin e vjetruar.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala tha që edhe në Kçiçi të Mitrovicës, si dhe çdo vend tjetër në Kosovë KEDS po rregullon rrjetin elektrik.

“Ne jemi të lumtur që 269 familje të këtij fshati kanë energji elektrike më kualitative dhe më të sigurt. Ky është një tregues që KEDS-i është i vendosur që të rregullojë rrjetin elektrik në tërë territorin e vendit, me prioritet aty ku gjendja është më e rëndë dhe ku numri i konsumatorëve është më i madh” , tha Buzhala.

Nga ky investim kanë përfituar 269 familje. Janë vendosur 195 shtylla të tensionit të ultë. 44 shtylla të tensionit të mesëm si dhe janë shtrirë 8 mijë e 300 metra kabllo të tensionit të ultë dhe 2 mijë e 200 metra të tjera për tension të mesëm.Në kuadër të projektit është bërë gjithashtu demontimi i shtyllave të vjetërsuara.

Në mesin e 269 familjeve, përfituese nga ky projekt janë edhe familjet Fejza, Ibishi, Berisha, Azemi dhe të tjerë.

AvniAzemi, banorë në këtë anë, thotë se investimi është mirëpritur dhe banorët presin rezultate.“Shihet se është punuar nga KEDS-i. Besoj se KEDS e ka të qartë se këtu situata ka qenë tejet e rëndë dhe tani ne shpresojmë shumë se gjërat do të ecin për së mbari sa i përket së pari tensionit stabil e pastaj edhe çështjeve të tjera”, tha Azemi.

Për investimet që KEDS po bënë tash e sa kohë në rajonin e Mitrovicës, ditë më parë ka folur edhe nënkryetari kësaj komune, Faruk Mujka. Mujka, gjatë një takimi që ka zhvilluar me drejtues të KEDS-it, i ka falënderuar këta të fundit duke shprehur se investime të tilla janë tepër të rëndësishme për qytetin dhe fshatrat e Mitrovicës në mënyrë që ky rajon të ketë gjendje stabile të energjisë elektrike./Periskopi/

 

Shpërndaje në: