Katër vjet qeverisje: Premtimet e Kurtit për ekonominë që mbetën veç fjalë
Në katër vitet e qeverisjes së Albin Kurtit, një numër i madh premtimesh që lidhen me sektorin e ekonomisë kanë mbetur të pa realizuara. Krijimi i Bankës Zhvillimore, shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), dhe ai për banim të përballueshëm për 4 mijë familje, janë disa nga to që nuk u bën realitet përveç Ligjit për Fondin Sovran i cili është në Gjykatën Kushtetuese.
Përkundër lëvdatave të pushtetit se ka pasur progres ekonomik në këtë mandat, nga opzoita dhe njohës të ekonomisë thonë se qeveria ka dështuar në zhvillimin e sektorit të ekonomisë.
Në prezantimin e plotë të programit qeverisës (2021-2025), kryeministri Albin Kurti pati theksuar në një seancë parlamentare me të marrë mandatin qeverisës se “Programi që keni para jush është reflektim i premtimeve jo vetëm të fushatës elektorale por edhe të angazhimeve për të ardhmen,” duke shtuar se, po ashtu do të shuajnë Agjencinë Kosovare të Privatizimit, porse premtime këto që nuk u mbajtën.
Derisa nga opozita thonë se qeveria ka dështuar të realizojë investime kapitale dhe projekte të rëndësishme.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala kritikon qeverinë, duke theksuar se gjatë këtij mandati qeveria ka dështuar të realizojë investime kapitale dhe projekte të rëndësishme. Ai shton se ndërmarrjet publike si Trepça dhe KEK kanë vazhduar të kenë performancë të dobët, dhe se përpjekjet për të mbyllur AKP-në nuk kanë pasur asnjë rezultat konkret. Në anën tjetër edhe deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti përmend disa nga premtimet që janë bërë nga qeveria aktuale, por që sipas tij nuk janë realizuar.
Ndërsa, shprehet se e njëjta ka dështuar edhe në menaxhimin e ndërmarrjeve publike.
“Bankën Zhvillimore dhe Fondin Sovran, edhe atëherë kur janë diskutuar ne i kemi pas dilemat tona. Asnjëra prej këtyre dyjave, as që ka nis të realizohet, sepse konceptualisht nuk është zhvilluar së paku si koncept se si do të funksionojë, sepse ne kemi ekonomi të tregut dhe duhet të marrim parasysh funksionimin e ekonomisë në kushtet e një tregu të hapur dhe është vështirë të futen koncepte që nuk janë kontabile me këtë qasje, me këto parime të ekonomisë së hapur. Madje, është problemi tek Agjencioni i Privatizimit, i cili është premtuar se do të mbyllet si agjencion, ndërkohë që nuk ka ndodhë asnjë veprim. Mandej, janë ndërmarrjet publike, ku janë kritikuar qeveritë e kaluara se po bëjnë gjakderdhje financiare duke i ndihmuar ndërmarrjet publike, performanca e këtyre ndërmarrjeve gati, pa përjashtim një ose dy prej tyre mund të kenë një përmirësim të caktuar në gjitha tjerat është përkeqësuar gjendja”, thotë Hoti.
Në anën tjetër edhe njohës të çështjeve të ekonomisë kritikojnë Qeverinë Kurti për mos zhvillim ekonomik të vendit. Ndërsa, edhe njohësi i çështjeve për ekonomi, Mustafë Kadrijaj thotë se kjo qeveri ka dështuar të adresojë nevojat e zhvillimit ekonomik dhe investimeve kapitale.
Ndërkaq, edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Blendi Hasaj thotë se kjo qeveri është identifikuar me atë qe e ka pas një theks më të veçantë tek këto skemat sociale.
“Kjo qeveri është identifikuar me atë qe e ka pas një theks më të veçantë tek këto skemat sociale, veçmas tek disa skema që kanë paraparë rritjen e përkrahjes për gratë, kjo lidhet edhe orientimin e tyre edhe ideologjik por edhe si parti që janë pak më të majtë edhe normalisht mendojmë se duhet tëjetë një rrjet”, thotë Hasaj.
Ndërsa, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka folur për të arriturat e kësaj Qeverie. Ajo për KosovaPress ka përmendur rritjen ekonomike dhe raportet tregtare për eksport dhe import.
“Gjatë këtij mandati qeverisës si rritje kryesore në Republikën e Kosovës shihet rritja ekonomike, po ashtu edhe treguesit demografik që janë treguar dukshëm në rritje gjatë këtij mandati qeverisës. Rritja ekonomike mesatare 6 për qind gjatë këtij mandati qeverisës, kemi dyfishim të eksportit dhe përmirësim të bilancit tregtar nga raporti eksport-import nga një me nëntë me një me gjashtë. Kemi dyfishim të investimeve të huaja direkte gjatë këtij mandati”, tha Hajdari.
Qeveria nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti ka marrë detyrën më 23 mars të vitit 2021. Ndërsa, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt 2025.