Katër të mitur lëndohen në përleshjen në Lipjan, dy prej tyre theren me thikë
Të paktën katër të mitur janë lënduar si pasojë e një përleshjeje fizike që ka ndodhur gjatë mbrëmjes të së enjtes në Lipjan.
Dy prej të lënduarve thuhet se janë goditur nga thika.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.
Policia ka nisur hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti.
“Sot rreth orës 18:00, kemi marrë informatën për një përleshje fizike të ndodhur në afërsi të Shtëpisë së Kulturës në Lipjan. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast lëndime trupore kanë pësuar katër persona (të gjithë të mitur). Katër personat e lënduar (dy prej të cilëve dyshohet të kenë lëndime nga arma e ftohtë thikë), janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë ajo.