Katër orë nga nisja e takimit trepalësh në Bruksel për dinarin
Pak para orës dhjetë në një prej zyrave të shërbimit të jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel të Belgjikës nisi takimi trepalësh midis kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – dhe Emisarit Special të BE-së, Mirosllav Lajçak, por përkundër se janë bërë katër orë nga fillimi i takimit, negociatat janë duke vazhduar.
Lajçaku është shprehur optimist se mund të arrihet marrëveshje në takimin e shtatë për çështjen e dinarit, i cili vjen pas skadimit të periudhës tranzitore të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për zbatimin e rregullores për operacione me para të gatshme. E negociatat do të orientohen në “kompromisin e propozuar” nga emisari evropian për zgjidhjen e krizës së dinarit, shkruan Albanian Post.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi gjatë javës së kaluar se blloku pret që takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit serb të jetë rasti final për zgjidhje në bazë të propozimit të bërë nga Lajçaku, por nuk u zbardhën detaje konkrete të propozimit evropian që autoritetet kosovare e cilësuan konstruktiv për zgjidhjen e nyjes së dinarit.
Më 1 shkurt hyri në fuqi rregullorja e BQK-sё, nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb brenda territorit. Në zonat e banuara me shumicë serbe në vend, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.