Katastrofë për botën arabe… dhe SHBA-në

Katastrofë për botën arabe… dhe SHBA-në

Sa herë që duket sikur Donald Trump nuk mund ta tejkalojë veten, ai në fakt e bën. Tash ai ka njoftuar se administrata e tij do të njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, duke e përmbysur një politikë amerikane gati shtatëdhjetë vjeçare. Ky hap do të ketë degëzime të shumta negative, një numër i madh prej tyre krejt të paparashikueshme.

Jerusalemi është një prej çështjeve më të rëndësishme sa i përket statusit final që është shmangur në vazhdimësi nga negociatat izraelito-palestineze shkaku i sensitivitetit ekstrem të tij. Trumpi ka çarë përpara drejt kësaj ngatërrese si një dem në një dyqan porcelani, duke asgjësuar çështjet më komplekse e emocionale të lidhura me Palestinën.

Jerusalemi është padyshim aspekti më i rëndësishëm i gjithë pyetjes së Palestinës. Ka qenë qendra e identitetit të palestinezëve myslimanë dhe të krishterë për aq kohë sa duhte të kthehemi te themelet e të dyja religjioneve, dhe është bërë edhe më qëndror ndërsa konflikti për Palestinën u ashpërsua.

Rivaliteti për qytetin e shenjtë u përkeqësua nga fakti që të njëjtat vende – Haram al-Sharif për myslimanët, Mali i Tempullit për hebrejtë – janë të shenjta për të dyja religjionet. Shkaku i natyrës eksplozive, kjo është një çështje që asnjë politikan palestinez, dhe pak liderë arabë, do të guxonin të përziheshin.

Për dikënd si unë, familja e të cilit ka jetuar në Jerusalem për qindra vjet, njoftimi i Trumpit nuk nënkupton vetëm që SHBA-ja e ka adaptuar pozicionin e Izralit që Jerusalemi i takon vetëm atyre. Ai poashtu retroaktivisht e ka legjitimuar pushtimin dhe okupimin militar që i bëri Izraeli Jerusalemit Lindor të arabëve gjatë luftës së 1967-s, dhe imponimi i ligjeve diskriminuese për qindra-mijëra palestinezë që jetojnë aty. Dëmi që ai ka bërë do të jetë permanent: SHBA-ja nuk mund të zhbëjë njohjen më.

Ky akt krejtësisht e diskualifikon SHBA-në nga roli i gjatë si ndërmjetës, një pozicion që Washingtoni e ka monopolizuar për vete.

Veprimi i Trumpit shenjon përbuzje për opinionin e gjithë botës arabe. Çkado që diktatorët arabë dhe monarkët absolutë mund t’iu thonë se mbështesin, populli arab unanimisht e mbështet pozicionin e Palestinës për Jerusalemin. Reagimet e tyre të paevitueshme ndaj kësaj lëvizjeje do të cenojnë interesat e SHBA-së përgjatë gjithë regjionit. Siç vërejti sekretari i mbrojtjes James Mattis në vitin 2013: “Unë pagova një çmim për sigurinë ushtarake çdo ditë si komandant, sepse amerikanët paragjykohen se e mbështesin Izraelin.”

Fiaskoja e fundit diplomatike është një tjetër shembull i shpërfilljes që po i bën administrata e Trumpit pikëpamjeve të pjesës tjetër të botës. Asnjë vend tjetër nuk e ka njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Ka një konsensus global që thotë se derisa marrëveshja mes palestinezëve dhe izraelitëve të arrihet, është jolegjitime të paragjykohet ose të parapërcaktohet rezultati i negociatave. Shtetet e Bashkuara formalisht i kanë garantuar palestinezët për këtë gjë kur i ftuan në një konferencë të paqes në Madrid më 1991.

Natyrisht, ka një paragjykim të gjatë në favor të Izraelit. Askush nuk duhej të priste korrektësi në këtë çështje nga ta, ose nga shefi i tyre.

Tash është e zorshme të shihet nëse një marrëveshje mes palestinezëve dhe izraelitëve është e mundur. Kjo që ka bërë Trumpi është një plagë e vetëshkaktuar që do të ndihet gjatë në analet e diplomacisë. Kjo do të zvogëlojë edhe më tej rolin e SHBA-së, relacionet e komplikuara me aleatët, me myslimanët dhe arabët – dhe me njerëzit që kanë ‘common-sense’ në mbarë botën.

Trumpi, që ishte paralajmëruar për këtë hap nga arabët, nga njerëzit e Lindjes së Mesme dhe nga liderët evropjanë, tashmë e ka bërë zgjidhjen e konfliktit për Palestinën shumë më të vështirë, edhe nëse i ka gëzuar miqtë e tij, të rrezikshëm e ekstremistë në Izrael. Larg nga të qenët “marrëveshja e shekullit”, siç u mburr ai, me një lëvizje idiotike, Trumpi mund të ketë bërë “debaklin e shekullit”. Kjo është një ditë e trishtë për ligjin ndërkombëtar, për Palestinën, dhe për secilin që brengoset për paqe në Lindjen e Mesme.

Përktheu nga Guardian: Periskopi

Shpërndaje në: