Katastrofa e Brexitit

Katastrofa e Brexitit

(Marrë nga sbunker)

Merret vesh se kur tashmë ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, në janar të 2013-ës vendosi që ta propozojë referendumin për Brexit, ishte duke ngrënë pizza në aeroportin e Çikagos. Është padyshim një drekë që Cameron do ta mbajë në mend gjatë gjithë jetës.

Asokohe, Cameron përballej me ngritjen e Partisë për Pavarësinë e Britanisë së Madhe (United Kingdom Independence Party – UKIP) dhe liderin e saj popullist Nigel Farage. Ky i fundit po e provokonte një pjesë të elektoratit konservator me mesazhin e tij anti-BE, që i rrezikonte Partisë Konservatore ruajtjen e pushtetit në zgjedhjet e ardhshme. Për ta përvetësuar agjendën e UKIP-it, Cameron shpalli referendumin për Brexit. Kalkulimi i Cameron ka qenë se referendumi do të rezultojë me një votë të lehtë për mbetjen e Britanisë në BE, me çka do të mbyllej kjo çështje për një kohë të gjatë, ndërkohë që do të parandalohej forcimi i UKIP-it në dëm të konservatorëve.

Por, doli se me këtë hap Cameron kishte rrezikuar më shumë se sa pushtetin e vet dhe të Konservatorëve, ndërsa në referendumin  mbizotëroi vota për shkëputje. Shkaqet imediate për këtë rezultat janë lokale – dobësia e fushatës për mbetje dhe entuziazmi i atyre që promovonin daljen. Këtu bënte pjesë jo vetëm UKIP por edhe krahu anti-BE i Konservatorëve, zëdhënës i së cilës është shndërruar ish-prefekti i Londrës Boris Johnson. Mirëpo, ky rezultat nuk mund të mos jetë edhe kulmim i disa proceseve që kanë minuar projektin evropian gjatë dekadës së fundit.

Dihet fare mirë se Bashkimi Ekonomik Evropian, i themeluar më 1957, kaloi gjashtëmbëdhjetë vite pa Britaninë, e cila ju bashkua asaj pas një hezitimi të gjatë. Gjatë viteve 1980, kur bëhej fjalë për thellimin e unionit dhe, pas vitit 1990, edhe mundësinë e zgjerimit, Londra preferonte një aranzhman të shlirë multilateral me tregun e përbashkët si qëllim kryesor, kundrejt federalizmit monetar, politik, e, përfundimisht edhe ushtarak, të synuar nga blloku frango-gjerman. Kjo kundërthënie sikur u tejkalua gjatë 1990-ave dhe 2000-ave, kur përpjekjet për federalizimin e Evropës nuk kaluan dhe u arritën kompromiset në Traktatin e Lisbonës më 2007. Por kriza ekonomike pas 2008-ës acaroi sërish marrëdhëniet brenda BE-së, ia humbi orientimin projektit evropian ndërsa solli në agjendat përkatëse nacionale probleme të rënda ekonomike e fiskale, gjë që pati reperkusione edhe në politikën britanike.

Dhe, përfundimi i kësaj ishte vota për të dalë nga BE-ja. Çfarë janë pasojat afatgjata të kësaj? Siç paralajmëronte një gazetë britanike, dalja e Britanisë nga BE-ja është e njëjtë sikur kërcimi në humnerë. Ka pasiguri dhe paqartësi të mëdha, si në aspektin procedural, por, ç’është më me rëndësi, edhe në pasojat substanciale në politikën, ekonominë, sigurinë dhe projektimin global të fuqisë së BE-së.

Disa pasoja janë tashmë të qarta. Rreziku i parë është rënia e peshës globale ekonomike, politike, ushtarake e vetë Britanisë. Siç shkroi kolumnisti Martin Wolf i gazetës Financial Times, Britania është nyja lidhëse midis Evropës dhe SHBA-ve brenda bllokut transatlantik. Dalja e Britanisë nga BE-ja dëmton dukshëm këtë lidhje dhe zbeh rolin e Britanisë brenda kontinentit evropian. Për më tepër, Britania tashmë i futet një procesi të gjatë me plot paqartësi të divorcit me BE-në, brenda një skene politike të ndarë dhe një referendumi që nxori në pah ndasi të thella regjionale. Negociatat e daljes do të konsumojnë me vite politikën e brendshme dhe të jashtme britanike. Partia sunduese Konservatore tashmë shihet se është e ndarë dhe brenda së cilës do të ketë luftë fraksionesh. Për më tepër, parlamenti britanik në shumicë ka përkrahur mbetjen në BE, çka e bën politikisht të rëndë për të marrjen me procesin e shkëputjes. Dhe, duke qenë se shumica e votave në Skoci dhe Irlandë të Veriut ishin pro-mbetjes, ky hap tashmë ka vënë në rrezik vetë integritetin territorial të Britanisë. Në Skoci tashmë është kërkuar rimbajtja e referendumit për pavarësi. Me një fjalë, vendimi për dalje ka nxitur atë që mund të jetë një ortek politik për vetë Britaninë, që mund të përfundojë me ndarjen e shtetit dhe humbjen përfundimtare nga Britania të statusit të saj të një fuqie botërore. Implikimet e kësaj për sigurinë evropiane dhe globale do të jenë jashtëzakonisht të rënda.

Përbrenda Evropës, kalimi i Britanisë në margjina të politikës evropiane e zbeh përfundimisht rolin e BE-së të një aktori global. Pas Brexit-it, BE-ja tregohet të jetë hiç më shumë se një organizatë regjionale politike e ekonomike, por pa fuqi të projektimit të fuqisë jashtë saj. Dështimet e BE-së për të zgjeruar ndikimin e saj në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, si dhe mospajtimet rreth masave që duhej marrë kundër Rusisë pas aneksimit të Krimesë, tashmë vulosen si pjesë e dështimeve të përpjekjes për një politike të unifikuar të jashtme evropiane. Pa Britaninë, marrja seriozisht e BE-së si aktor ndërkombëtar nga liderët e Lindjës së Mesme, nga Moska, ose nga Pekini, bëhet edhe më qesharake.

Përveç pesha globale, BE-së iu humb përfundimisht fuqia si ide normative. Për disa, BE-ja ishte ideal i tejkalimit të kornizave të ngushta politike e ekonomike të shtetit kombëtar, përmes një mekanizmi origjinal të bashkimit të sovraniteteve në një trup të përbashkët. Ky eksperiment tashmë gjithë botës i duket si jofunksional dhe i dështuar. Kjo kthen fuqishëm idenë e sovranitetit kombëtar, por edhe përforcon lëvizjet populliste e nacionaliste që ksenofobinë dhe racizmin e tyre e mbështjellin me idenë e kthimit të sovranitetit kombëtar (siç bënë edhe popullistët e djathtë britanikë). Edhe nëse udhëheqjet politike të BE-së arrijnë të kufizojnë ndikimin e lëvizjeve ekstreme të djathta, ideja e BE-së si një ideal i bashkimit më të thellë evropian ka pësuar një goditje të rëndë. Larg idealit të një Evrope të bashkuar, BE-ja do të shihet nga elitat politike dhe ekonomike në formë shumë më instrumentale. Anëtarësimi në BE është vetëm mënyrë për t’iu qasur tregut të përbashkët dhe fondeve strukturore, me disa rregulla dhe struktura të bezdisshme burokratike që duhet të durohen si kundërshpërblim. Por, përtej kësaj, BE-ja më nuk është rrugë drejt një bashkimi më të thellë të Evropës. Tragjikisht, kjo ide tashmë u diskreditua për të paktën një gjeneratë.

Disa thonë se ndoshta tani, pa Britaninë, BE-ja e mbetur mund të ndjekë një kurs të federalizimit të mëtejmë, çfarë nuk mund ta bënte më parë pikërisht si pasojë e rezistencës britanike. Apo se pa Britaninë, e cila ia solli Evropës neoliberalizmin, BE-ja tashmë mund të shkojë drejt një projekti të “Evropës sociale”. Këto janë iluzive. Brexit nuk e ka lehtësuar integrimin më të thellë evropian, por e ka diskredituar BE-në si institucion dhe si ide. U pa gjatë krizës greke se rezistenca më e madhe për krijimin e instrumenteve të përbashkëta (p.sh., të politikës fiskale), nuk vinte nga Britania, por nga Gjermania. Skleroza politike dhe ekonomike shumëvjeçare që ka kapluar Francën ia ka humbur asaj peshën në marrjen e nismave serioze brenda BE-së. Insistimi gjerman në politika të austeritetit (shkurtimeve buxhetore) si zgjidhje për krizën strukturore ekonomike evropiane në dëm të propozimeve dhe nismave për federalizim dhe solidaritet brenda-evropian, përfundimisht treguan se Gjermania nuk ka asnjë gatishmëri për ecje drejt federalizimit e as për heqje dorë nga doktrina e saj ordoliberale, që dallon vetëm në nuanca nga neoliberalizmi anglez. Kriza e refugjatëve në ndërkohë vetëm ka pezmatuar më tej politikën evropiane në nivele nacionale, duke nxjerr shumë fuqishëm në pah forcat ksenofobike që me lehtësi akuzojnë se refugjatët dhe “të huajt” janë imponim i BE-së. Në rrethana të tilla, jashtë mundësisë që të ndodh ndonjë çudi e madhe politike (p.sh., në Evropë të fillojnë të mbisundojmë parti e lëvizje të tipit të Syriza e Podemos), çdo lëvizje drejt një bashkimi më të thellë duket iluziv. Kriza greke tregoi se BE-ja është shndërruar pak a shumë në një zonë të zgjeruar ekonomike gjermane, si treg për eksport, si zonë e ndikimit fiskal e financiar (përmes euros) dhe si zonë e investimeve për krah të lirë pune (siç ka qenë Evropa lindore dhe qendrore). Kjo hegjemoni e shtuar gjermane brenda Evropës vetëm sa do të shtojë dyshimet ndër anëtarët e tjerë për atë se çfarë në të vërtetë përfaqëson BE-ja, dhe tërheqjes drejt politikave defansive politike e ekonomike brenda shteteve evropiane, pa u cenuar në thelb bazamenti ordoliberal i BE-së.

Për fund, çfarë roli luan Brexit në shtetet e Ballkanit? Në Evropën lindore e qendrore, BE-ja, si me politika ashtu dhe me idenë që ka përfaqësuar, gjatë viteve 1990 dhe fillimvitet 2000 ka pasë ndikim të rëndësishëm në tejkalimin e pushteteve autoritare, nacionalizmit dhe politikave diskriminuese. Liberalë e progresivë ballkanas pak a shumë kanë parë një mundësi dhe rol të njëjtë për BE-në në Ballkan, ku tashmë shohim ngritjen e mini-autokracive të vogla që mund të përfundojnë në autokraci të konsoliduara. BE-ja pa Britaninë megjithatë nuk e humb tërheqjen dhe rolin e vet në Ballkan. Ekonomitë e vogla ballkanike nuk mund të mbijetojnë të izoluara, kurse edhe një BE gjermano-centrike ofron mjaftueshëm oportunitete ekonomike dhe beneficione financiare e politike për ta mbajtur në nivel të lartë interesimin e elitave politike ballkanase drejt anëtarësimit në BE.

Megjithatë, edhe në këtë pjesë të botës ideja e BE-së do të diskreditohet. Në vendet si Serbia, kjo mund të bëjë kultivimin e marrëdhënieve me Rusinë tashmë më joshëse. Çështje tjetër është se çfarë do të jetë pas Brexit disponimi në kryeqendrat evropiane për zgjerim. Përkrahja për zgjerimin tashmë do t’i nënshtrohet edhe kalkulimeve të brendshme politike të lidershipeve shtetërore, në veçanti ato të Evropës lindore e qendrore, se çfarë do të bëjnë në një BE pa Britaninë si kundërbalans i fuqisë gjermane. Polonia tashmë ka propozuar krijimin e një blloku të veçantë lindor brenda BE-së, e cila do të lobonte për interesat e veta kundrejt Gjermanisë dhe Francës. Sido që të jetë, kjo krijon dinamika të reja brenda BE-së që do ta cenojnë procesin e zgjerimit dhe që do ta zgjasin këtë punë për shumë vjet. Kjo vlen në veçanti për Kosovën, e cila tashmë humb një mbështetës të fuqishëm brenda BE-së.

 

Shpërndaje në: