Kastrati: Mbështetja e Albin Kurtit për një qeveri pro-serbe dhe pro-ruse të Maqedonisë së Veriut që arreston veteranët e UÇK-së është tradhti

Kastrati: Mbështetja e Albin Kurtit për një qeveri pro-serbe dhe pro-ruse të Maqedonisë së Veriut që arreston veteranët e UÇK-së është tradhti

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati ka thënë se mbështetja e Albin Kurtit për një qeveri pro-serbe dhe pro-ruse të Maqedonisë së Veriut e cila shkel të drejtat e shqiptarëve dhe arreston veteranët e UÇK-së është tradhti ndaj interesave kombëtare.

Ai në Facebook tha se Kurti po vazhdon angazhimin e tij për përjashtimin dhe sulmin kundër përfaqësuesëve historik të UÇK-së.

Sipas tij, Kurti dhe Mickoski po përkrahin agjendat pro ruse dhe serbe.

Postimi i plotë:

ALBIN KURTI ME QEVERINË PRO-SERBE DHE PRO-RUSE TË MAQEDONISË SË VERIUT E KUNDËR INTERESAVE RAJONALE TË SHQIPTARËVE?

******************************

Në rrethana normale, mbledhja e përbashkët në mes të dy qeverive në Prishtinë do duhej të pasqyronte një ndërvarësi funksionale midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Në teori, bashkëpunimi i tillë lidhet me parimet e liberalizmit institucionalist, ku kërkohen përfitime reciproke përmes rritjes së integrimit ekonomik dhe politik.

Integrimi fillon nga fushat e ndryshme teknike dhe ekonomike për të krijuar kështu edhe impulse politike më të thella për rajonin.Një qasje e tillë e bashkkëpunimit kontribon në përforcimin e kapitalit social dhe institucional të rajonit në përpjekje për t’u përshtatur edhe me kriteret e procesit të Berlinit dhe rrugën drejt integrimit në BE. Këto procese janë thelbësore për reduktimin e asimetrive ndërmjet vendeve dhe promovimin e stabilitetit afatgjatë.

Pra, mbajtja e një politike bashkëpunuese me Maqedoninë e Veriut është në përputhje me synimin për stabilitet rajonal dhe përfitime ekonomike, duke u bazuar në normat ndërkombëtare që promovojnë fqinjësinë e mirë si pjesë e proceseve euro-integruese . Në parim, deri këtu jemi në rregull.

Mirëpo, mbështetja e Albin Kurtit për një qeveri pro-serbe dhe pro-ruse të Maqedonisë së Veriut e cila shkel të drejtat e shqiptarëve dhe arreston veteranët e UÇK-së është tradhti ndaj interesave kombëtare. Rreshtimi i Kurtit krah një qeverie pro-serbe e pro-ruse e cila cenon përdorimin e gjuhës shqipe dhe shkel Marrëveshjen e Ohrit është bashkëpunim me forcat që minojnë aspiratat e kombit shqiptar. Në këtë mënyrë Kurti po vazhdon angazhimin e tij për përjashtimin dhe sulmin kundër përfaqësuesëve historik të UÇK-së duke i përkrahur ata që punojnë intenzivisht për dobësimin e pozitave të shqiptarëve në rajon.

Një akt i tillë është një tradhti që ndan lirinë dhe sakrificat e shqiptarëve nga objektivat e tyre të larta, Ky veprim është një goditje e rëndë ndaj dinjitetit kombëtar, duke e kthyer historinë tonë të lavdishme në një terren ku triumfojnë armiqtë e shqiptarëve.

Moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit përbën cenim të rendit kushtetues të këtij shteti. Kjo marrëveshje ka qenë dhe duhet të mbetet instrumenti kyç për stabilitetin e brendshëm të Maqedonië së Veriut. Aleatët e shqiptarëve si SHBA dhe BE këtë marrëveshje e kanë parë si një mekanizëm normativ për konsolidimin e një shteti shumëkombësh.

Nga pikëpamja gjeopolitike, çdo devijim i Maqedonisë së Veriut nga Marrëveshja e Ohrit paraqet devijim nga rruga euro-atlantike dhe kjo do të kishte pasoja për stabilitetin rajonal dhe për marrëdhëniet me NATO-n dhe BE-në. Destabilizimi potencial i arkitekturës euro-atlantike në rajon do të krijonte një vakum strategjik ku Rusia mund ta shfrytëzoj për të rritur ndikimin e saj përmes mekanizmave të ndarjes dhe tensioneve ndëretnike në Ballkan duke kalkuluar që të përfitoj ndonjë levë gjeopolitike rreth luftës së saj në Ukrainë.

E kush po i përkah pra agjendat pro-serbe dhe pro-ruse në rajon? Kurti dhe Mickoski, po kush tjetër!

Shpërndaje në: