KASh i kërkon BE-së të fokusohet në lehtësimin e një dialogu të drejtë që respekton pavarësinë e Kosovës
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka ndjekur me shumë interes dhe shqetësim negociatat e stërzgjatura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe dëshiron të shohë një marrëveshje përfundimtare sa më shpejt të jetë e mundur.
Në faqen zyrtare thuhet se CAA-ja qëndron kundër presionit ndaj Kosovës që të pajtohet me formimin e komunave me shumicë serbe dhe beson se një presion i tillë minon sovranitetin e Kosovës dhe inkurajon qëndrimin e Serbisë për mosnjohje.
Sipas këtij këshilli, zgjidhjet e imponuara mund të destabilizojnë rajonin.
Tutje, kështilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson se kontributi dhe roli i pazëvendësueshëm i BE-së duhet të fokusohet në lehtësimin e një dialogu të drejtë që respekton pavarësinë e Kosovës.
“CAA-ja i bën thirrje BE-së që për dialogun Kosovë-Serbi të caktojë negociatorë nga rangu i diplomatëve/politikanëve të mirëpritur dhe të pranuar nga të dyja vendet, në mënyrë që të rritet niveli i besueshmërisë tek të gjitha palët. Ky këshill gjithashtu kërkon që sjelljet e Serbisë si përfaqësuese ruse dhe retorika e liderit të Republika Srpska Dodik për ndarjen e saj nga BiH duhet të ndalet me çdo kusht përpara se të jetë tepër vonë. Ne e konsiderojmë këtë si një recetë lufte, si një qasje që shkon në të njëjtën linjë/logjikë me agresionin rus kundër Ukrainës”, thotë më tej Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë.