“Kartonin e kuq e meritova”, Mourinho: Penalltinë nuk duhej ta godiste Belotti!
Roma nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në shtëpi ndaj Torinos duke u shkëputur edhe më shumë nga vendet e para të Serisë A me verdhekuqtë që aktualisht renditen në vendin e shtatë me 27 pikë.
Megjithatë, sfida mund të përfundonte edhe më keq për kryeqytetasit të cilët barazuan vetëm në minutën e 94-të me anë të Nemanja Matic teksa më parë Andrea Belotti kishte humbur një penallti dhe Paulo Dybala i rikthyer nga dëmtimi, ishte ndalur nga tranversa.
Pas ndeshjes, trajneri Jose Mourinho që në minutat finale u ndëshkua me karton të kuq për protesta, theksoi se penalltinë nuk duhej ta godiste Belotti ndërsa shtoi se e meritoi ndëshkimin pasi kishte ofenduar gjyqtarin.
“Përjashtimi im ishte i drejtë, fjalët e mia në drejtim të arbitrit meritonin kartonin e kuq. Më vjen keq për fjalët, por nuk dua të komentoj si arbitri e gjykoi ndeshjen. Unë po kërkoj falje, por mos prisni të flas për arbitrimin. Sa i takon ndeshjes, unë sot pashë dy ndeshje të ndryshme.
Një deri në minutën e 70-të, atë në të cilin edhe publiku kishte dëshirë të shkonte në shtëpi, dhe një tjetër sfidë, aty ku në 20 minutat e fundit krijuam më shumë seç kemi krijuar në katër apo pesë ndeshjet e fundit. Ju mund të pyesni pse? Sepse në një skuadër si ajo e jona mungesa e Dybalës rëndon shumë. Disa lojtarë janë në një moment që po kalojnë formë të dobët, pauza do të na shërbejë për të bërë autokritikë. 20 minutat e fundit mund t’i quaj si minutat e shpresës.
Penalltia? Belotti nuk është goditësi i penalltive, por nuk kam çfarë të them. Nuk është ndonjë problem, sepse penalltitë edhe gabohen. Problem është mentaliteti dhe brishtësia që nuk të lejon të shprehësh maksimumin e potencialit në fushë. Belotti kishte kurajon për të goditur dhe unë e vlerësoj”, u shpreh Mourinho./ss