Karriera e legjendës Fadil Vokrri përmes fotografive

Periskopi.com Galeria

 

Lajmi për ndarjen nga jeta të Fadil Vokrrit, ish futbollistit të njohur kosovar, por njëkohësisht edhe drejtues i Federatës së Futbollit në Kosovë, tronditi opinionin sportiv mbarëshqiptar.

Kreu i FFK-së humbi jetën paraditen e ditës së shtunë, teksa ndodhej në një qendër fitnesi ku edhe pësoi sulm në zemër, dhe  pavarësisht ndihmës së shpejtë dhe transportit në spital, nuk ia doli të mbijetonte.

Po kush ishte Fadil Vokrri:

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse në moshën 17-vjeçare debutoi me KF Llapin në Podujevë.

Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF Prishtina, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë. Më pas në Ligën e Parë të Jugosllavisë, me fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola. Periudha e viteve të ’80 ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në këtë Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola.

Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit, ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë, në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi.

Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992.

Në shkurt të vitit 2008 mori drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, si njeriu më i duhur për ta drejtuar këtë institucion drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Pas shumë lobimeve, FFK në vitin 2014 arriti të organizonte ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare me lejen e FIFA-s në stadiumin ‘Adem Jashari’ kundër Haitit, e cila kishte përfunduar 0-0.

Dy vite më vonë, Vokrri udhëhoqi delegacionin e Kosovës në anëtarësimin në UEFA dhe FIFA, për të shënuar thyerjen e izolimit të futbollit kosovar një herë e përgjithmonë.

“Lojtarët tanë duhet ta dinë, gjithë ata që i kemi jashtë Kosovë që bëjnë veprimtarinë dhe zhvillojnë veprimtarinë, që është kënaqësi dhe krenari të luash për shtetin tënd, fatkeqësisht ne disa, gjenerata më e vjetër se kemi pasur atë mundësi”, pati deklaruar Vokrri në muajin shkurt derisa ishte i ftuar në emisionin sportiv ‘2:1’, duke treguar qartë se për të ka qenë një peng mos veshja e fanellës së Përfaqësueses së Kosovës.

Paraqitja e fundit e Fadil Vokrrit në media ka qenë ditën e hënë në ‘Sport Show’, ku në panel ishte edhe Edon Zhegrova.

Në ditën e vdekjes së tij (9 qershor – e shtunë), para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, familjarë, miq e qytetarë të Kosovës ndezën qirinj në nderim të figurës së Fadil Vokrri.

Të arriturat e mëdha e kanë shndërruar Fadil Vokrrin në një legjendë për shqiptarët, dhe ‘Dardanët’ patën të drejtë me shkrimin e vendosur në fanellat e tyre: “Legjendat nuk vdesin kurrë”.

 

Shpërndaje në: