Karma is a b*tch
Albin Kurti, gjatë gjithë kohës së performansës së tij publike, në krejt karrierën e tij politike, marrëveshjen dhe konsensusin i pat kthyer në sinonime të servilitetit. Madje edhe vet procesin e dialogut si të tillë.
Sipas tij, të lëshosh pè për “principet politike” i binte të dorëzoheshe, të gjunjëzoheshe e të ligështoheshe përballë presioneve ndërkombëtare në dëm të interesave të vendit tonë, e të tjera e të tjera.
Në emër të një logjike politike të tejthjeshtëzuar, që ia mundësonte komfori opozitar i të mospasurit përgjegjësi të drejtpërdrejtë për veprimet, ndërtonte iluzione e praptonte merita sa herë i çelte sytë në sabah.
Por, Kurti, gjatë kësaj kohe, që gjuante gur e dru, majtas e djathtas, po e bënte një gabim shumë të madh, nuk po e kalkulonte mundësinë e një të nesërme tjetër me probleme të njëjta, ku vetë është kryeministër.
Ky mos kalkulim do e shtynte t’ia ndërrojë kilometrazhin VV-së duke i fshirë një pjesë të rëndësishme të deklarimeve e qëndrimeve të tyre politike. Do e bënte shumë qesharak e manipulator, bash si tyxharët e pazareve që për ta shitur kerrin thonë: vetëm një plakë e ka vozitë, findak i ri.
Historia nganjëherë jo vetëm se është cinike, por di të jetë edhe tallëse. Nëse gjërat shkojnë kah një marrëveshje e mundshme me Serbinë, nënshkruesi i saj do të jetë Albin Kurti. Ai që ishte kundër çdo nënshkrimi, kundër çdo marrëveshje, që nga Rambuje e deri më sot-dje.
Dhe në “historinë” tonë do të mësohet si njeriu që mblodhi gjithë shumën e kundërshtive të veta për ta bërë një ujdi-kompromis final. Paradoks se jo mahi.
Në një besim spiritual, fenomeni i karmës reduktohet në alegorinë e bëmave të mëhershme e që të kthehen dikur në jetë. Atë që ia ke bërë dikujt, dikush ta bën ty.
“Një nga mënyrat e “djegies” së mbetjeve karmike është teknika e “kthimit mbrapa”, për të njohur jetët e mëparshme” dhe përmirësuar gabimet atje ku i ke lënë”, e mendonte edhe Buda.
Tani mundësitë për “kthim mbrapa” janë thuajse zero dhe karma is a bitch zoti Kurti.