Kapiteni i Francës: Nuk prisnim një vështirësi si kjo e virusit, mbetemi entuziastë
Franca luan të dielën finalen e dytë radhazi në Kampionatin Botëror teksa “Gjelat” synojnë që përballë Argjentinës të përsërisin suksesin që arritën katër vite më parë kundër Kroacisë.
Mirëpo, situata në kampin francez nuk është ndër më të mirat e mundshme me disa nga lojtarët titullarë që nuk kanë mundur t’i shpëtojnë virusit që është shndërruar në një shqetësim serioz për trajnerin Didier Deschamps vetëm pak orë nga finalja me Argjentinën.
Në lidhje me këtë situatë të shkaktuar nga virusi, kapiteni Hugo Lloris në konferencë për shtyp theksoi se ishte diçka e papritur ndërsa shtoi se pavarësisht vështirësive, grupi duhet të mbetet entuziast për t’u kthyer në shtëpi me trofeun.
“Nuk e prisnim këtë situatën me virus, nuk kemi qenë të përgatitur për diçka të tillë. por, ne do të mundohemi të luajmë në mënyrën tonë më të mirë. Virusi është real, por kjo nuk largon aspak përqëndrimin tonë nga objektivi apo entuziazmi që kemi për finalen. E dimë që kemi mbështetjen e të gjithë kombit, e nisëm këtë Botëror me një mision dhe duam t’i shkojmë deri në fund. Ishin të pakta ata që na besuan, megjithatë tani kemi edhe një ndeshje të fundit”, u shpreh Lloris.