KAPINI!

KAPINI!

Mbreti është cullak dhe kësaj s’ke çfarë t’i shtosh. Tentativa e tyre për ta kontrabanduar ligjin kundër Speciales, është gulçimë që të paktën para arrestimeve të para për në Gjykatën Speciale t’ia mveshin damkën antikombëtare opozitës, respektivisht t’i shtyjnë LDK-në e VV-në kah tarafi i njejtë. Këtu nuk po dua të hy në ka apo s’ka të tillë në opozitë (natyrisht që ka, sidomos në LDK), por vetëm po konstatoj qëllimin e tentativës së tyre. Këta e dinë se LVV ishte kundër miratimit, ndaj plaçka e fundit para ikjes me bisht ndër shalë (iu kujtohet kjo thënje!) qe kësisoj përpjekjeje që në fakt të ngjan në përpjekjen e atij që jep shkelmat e fundit i plandosur për dhe.

Për ata që kanë përcjellur deklaratat e tyre javëve të fundit, besoj se s’do të jetë e vështirë ta kapin eterin e këtyre gulçimave të pafuqisë. Pse po them gulçimë e pafuqisë? Sepse nuk po munden të tregtojnë më në mjedisin e një turme amorfe njerëzish që gjëja e fundit që mund të jetë është popull a qytetari, përkatësisht në mjedisin e inxhinjeringut eksperimentues, të quajtur Bashkësi Ndërkombëtare. Populli edhe ashtu i lodhur, më nuk p’e han sapunin për djath. Kurse ajo që tashmë ishte kthyer në traditë të ndërkombëtarëve – kurba e çuditshme e kërcimit në qëndrime që brenda muajsh a vitesh i quante herë Xhorxh Vashington e herë trafikantë organesh; herë i mbante me muaj të tërë në Francë e pastaj me aklamim i pranonte për kryeminsitra, duket se s’po funksionon më. Kjo edhe e ka gjeneruar panikun e urgjencën tek ta.

I thënçin-presidenti brenda dite flet për krjim të ushtrisë, e ndodh po brenda asaj dite na lodhë me dofarë komisionesh për pajtime, për të kulmuar me shitje mend Shqipërisë se si të sillet në politikën e jashtme… I thënçin-kryeministri kërkon përfshirjen edhe të SHBA-ve në bisedime, teksa i shet rrahagjokësi BE-së për demarkacion (ka të drejtë, por këtu e kam fjalën për përçapjet e tij të pafuqisë), teksa i rritë rrogën vetes, e ndërton një ushtri të tërë me zëvendësministra në një mjedis frymorësh të varfëruar. I thënçin-kryeparlamentari nuk e duron dot rolin e spikerit nga karrigia lart parlamentit, por – siç ka bërë që nga orët e para – mundohet ta imponojë aurën e një kryeministri dytëshor.

Por tërë sjelljet e tyre e kanë një histori. I kanë rrënjët diku në një grykë të kohës. Madje në një grykë të hershme të kohës. Thjesht, në vend se të kihet një platformë unike karshi barazimit të agresorit dhe viktimës; në vend se të ketë ndërmarrësi juristësh, historianësh të huaj (Malcolm u shfrytëzua më shumë për fotografime se sa për dëshmi historike), ekspertësh mjeko-ligjor, etj., të cilët do insistonin që së pari duhet etabluar mirë e mirë se çfarë ka bërë Serbia mbi ne, këta ndoqën një model të copëzuar të mbrojtjes: vjelim para kur të na prekin. Duhej të ipje para, jo në shërbim të kauzës, a idealizmit kolektiv, por në shërbim të komandantit, anipse mund të mos e doje, mund të mos e votoje, e aq më pak ta kishe në plan kontributin a dorëzaninë materiale për të tërë.

Në vend të platformës që do të duhej të ekzistonte qysh në kohë të UNMIK-ut, dhe  që me pahirë do e detyronte edhe LDK-në ta nënshkruante e mbështeste, këta si tuxharë të rinj që u bënë, nuk u lodhën për gjëra të tilla, thjesht nuk kishin interes të silleshin si shtetarë, por si tagramledhës… Krejt çfarë bënin ishte vjelja e parave “për Ramushin”, “për Fatmirin”, për filanin e fistekun kur kohë pas kohe rrezikoheshin me burgim. Solidarësia komunitare (me rrënjë në 3%-shin e të 90-ve dhe në traditën e ndihmës së familjarit nga familjari) përzier me haraçin para-modern, u inkarnuan në sjelljen politike kosovare të diktuar nga komandantët që nga fillimi dhe mesi 2000-ve.

Kësodore logjika e tregtimit me “vlerat e luftës” mori dy drejtime: ndaj  popullit që edhe ashtu nuk njohu luftën (deri këtu kanë të drejtë megjithëse edhe vet iu qasën luftës gabim), dhe që s’shërben për tjetërgjë pos për ta vjelur, dhe ndaj ndërkombëtarëve, të cilëve u qeshim në fytyrë kur s’na prekin, kurse “e kallim” kur na prekin.  Kjo është kështu pak a shumë që nga paslufta. Por tani që urgjenca e demarkacionit, asociacionit, dhe e luftimit të korrupcionit (sado bozë të jetë bërë kjo “përpjekje”) janë kthyer në gjuhën ditore të ndërkombëtarëve, këta duken të kapur nga paniku dhe urgjenca e shpëtimit. Ironike apo jo? Kur LDK e njerëzit e këtij vendi kërkonin shpëtim, këta donin çlirim. Tani këta teksa po duan shpëtim, njëkohshëm po duan që edhe  një pjesë të opozitës, LVV-në, ta shtyejnë kah orbita e atyre që kërkojnë “çlirim nga çlirimtarët”. Pra unë pasi (të) kam shkërdhyer gati gjithçka, dhe kam pranuar vetë gjykimin tim, tani  dua ta shfuqizojë dhe, ti më pëkrah! Çfarë ofendimi nga shkerthyesi që tani të kërkon zgjatjen e favorit luksoz.

Situata është e dhimbshme, por domosdoja thërret. Këta zhvatës duhet të ikin, qoftë edhe me dëshmi të UNMIK-ut.

Shpërndaje në: