Kandidati për deputet, afaristi Ramush Ahmetaj, bën homazhe në Reçak

Kandidati për deputet, afaristi Ramush Ahmetaj, bën homazhe në Reçak

Kandidati i AAK-së për deputet, afaristi, Ramush Ahmetaj, ka përkujtuar masakrën e Reçakut, ku ka bërë edhe homazhe mëngjesin e sotëm.

“Sot ishim në Reçak për t’i kujtuar e nderuar 45 shqiptarë të cilët u masakruan nga ushtria dhe policia e Sllobodan Millosheviqit më 15 janar 1999 në Reçak. Masakra e Reçakut është një dëshmi e madhe që tregon se sa e shtrenjtë është liria”, ka thënë Ahmetaj.

Ai ka theksuar se masakra të tilla Serbia bëri në gjithë Kosovë, në luftën e fundit dhe në të gjitha periudhat historike.

“Por ne asnjëherë nuk i harruam ata që dhanë gjithçka patën për Kosovën e lirë, në luftën e fundit dhe në të kaluarën. Masakra e tmerrshme e Reçakut, tronditi ndërgjegjen e botës demokratike, dhe shënoi kthesën vendimtare në rrugëtimin tonë drejt lirisë. Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Gjaku i tyre u bë dritë për Kosovën e lirë! I përhershëm kujtimi për të rënët!”, ka deklaruar Ahmetaj.

 

 

 

Shpërndaje në: