Kamera në sallat e ligjëratave dhe tualete – Kolegji Universum gjobitet me 8 mijë euro

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka shqiptuar një gjobë prej 8 mijë eurosh për Kolegjin Universum në Ferizaj, për shkelje të rregullave të përgjithshme lidhur me përdorimin e kamerave të sigurisë.
Sipas vendimit të lëshuar më 23 dhjetor 2024, inspektimi ka zbuluar se në ambientet e kolegjit, konkretisht në sallat e ligjëratave dhe tualetet, përkatësisht pranë lavamanëve, ishin vendosur kamera vëzhgimi, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Për këtë rast, Kolegji ka dhënë një sqarim.
Si pasojë, institucioni është urdhëruar të heqë sistemin e mbikëqyrjes nga këto hapësira dhe të sigurojë që përdorimi i kamerave të përputhet me dispozitat ligjore të aplikueshme.
“Gjoba e shqiptuar duhet të paguhet brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ndërsa mosrespektimi i afateve do të sjellë masa të mëtejshme”, thuhet në vendimin e AIP.
Arsyetimi i AIP-it mbi gjobën
Agjencia ka dhënë arsyetimin për gjobën e shqiptuar ndaj Kolegjit Universum në Ferizaj për shkak të vendosjes së kamerave të vëzhgimit në hapësira të ndaluara, si sallat e ligjëratave dhe tualetet.
Në vendim thuhet se, Agjencia mori një ankesë më 29.11.2024, ku pretendohej se në shkollën e mesme të ulët në Ferizaj (në kuadër të Kolegjit Universum) kishte kamera në sallat e ligjërimit dhe në tualete.
Më pas, u krye një inspektim zyrtar më 10.12.2024, ku u konfirmua se ishin instaluar 25 kamera, nga të cilat 14 ishin funksionale.
Sipas tyre, kamerat ishin vendosur pa njoftim dhe në hapësira ku mbrojtja e privatësisë është e garantuar me ligj.
“Ligji përcakton që vendosja e kamerave duhet të bëhet vetëm për siguri dhe në përputhje me dispozitat ligjore”.
Pas këtyre gjetjeve, AIP shqiptoi një gjobë prej 8,000 eurosh, duke e cilësuar shkeljen si serioze dhe të dëmshme për privatësinë e nxënësve dhe stafit.
Në analizën e saj, Agjencia referohet Kushtetutës së Kosovës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat garantojnë privatësinë e individëve. Gjithashtu, përmenden precedentë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut që kanë përcaktuar se vëzhgimi në klasa dhe tualete është shkelje e privatësisë
Rrjedhimisht, Kolegji është urdhëruar të largojë menjëherë kamerat nga sallat dhe tualetet, dhe të respektojë dispozitat ligjore për vëzhgimin me kamera.