Kamberi: Në Bujanoc kemi rezultate shqetësuese

Kamberi: Në Bujanoc kemi rezultate shqetësuese

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se Partia për Veprim Demokratik ka shënuar fitore bindëse në Preshevë, derisa ka treguar se në Bujanoc “kemi rezultate shqetësuese”.

“Falë angazhimit të kandidates për kryetare, Ardita Sinani, strukturës së degës së PVD-së dhe çdo aktivisti e simpatizanti, dega e PVD-së, në zgjedhjet e mbajtura më 2 qershor në Preshevë, ka arritur të dalë lista e parë dhe fituese e garës zgjedhore, me 4079 vota, apo 11 mandate, duke fituar gati në çdo vendvotim të komunës së Preshevës”, shkroi ai në Facebook.

Sipas tij, rezultati i arritur tregon epërsinë e bindshme të PVD-së mbi rivalët garues, e sidomos thyen dhe përmbys kështu dominimin e APN-së në këtë komunë dhe se këmbëngulësia e treguar në rezistencë aktive nga opozita më në fund dha rezultatin e pritur.

“Në kandidaten tonë, Ardita Sinani mbetet përgjegjësia e procesit të ndërtimit të një shumice të re qeverisëse në Komunën e Preshevës, e cila do të jetë e orientuar në realizimin e obligimeve të marra në zgjedhje, në bashkëpunim e bashkërendim, e jo konfrontim, me Republikën e Kosovës dhe Shqipërisë”, shtoi.

Ndërkaq sipas tij, në Bujanoc, mjerisht, lista dhe kandidati i PVD-së nuk arritën rezultatin e pritur edhe pse Kamberi thekson se “lista dhe kandidati jonë Ragmi Mustafa, përkundër angazhimit maksimal të të gjithë strukturës tonë, ka siguruar vetëm 2083 vota”.

“Mbi këtë rezultat tejet shqetësues, ditët në vijim, Dega e PVD-së në Bujanoc, do të duhet të analizojë e reflektojë për të marrë vendime dhe qëndrime serioze për të ardhmen e subjektit.Zgjedhjet janë gjithmonë vetëm një betejë, ato nuk shënojnë fundin e historisë”, ka potencuar ai.

Megjithatë, Kamberi ka shtuar se pavarësisht rezultatit shqetësues, “ne do të vazhdojmë të besojmë, e punojmë për misionin tonë për më shumë të drejta për shqiptarët, për më shumë bashkëpunim me Kosovën e Shqipërinë”.

“Edhe në këtë rast të brengosjes sonë për rezultatin e arritur në Buajnoc, duhet falënderuar Ragminë dhe çdo anëtarë, aktivist e simpatizant të PVD-së, që edhe në këtë betejë të radhës, dhanë kontributin e tyre pa hezitim. Beteja vazhdon”.

Shpërndaje në: