Kalueshmëria në testin teorik për patentë shoferë 10% më e lartë pas ndryshimeve

Kalueshmëria në testin teorik për patentë shoferë, me ndryshimet e reja, është më e lartë në vetëm dy ditë prej se ato hynë në funksion, kanë thënë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Sipas zyrtarëve, këto dy ditë kalueshmëria është më e lartë për rreth 10 për qind krahasuar me kalueshmërinë para ndryshimeve.
Nga 18 shkurti, testet me shkrim për patentë shoferë kanë ndryshuar dhe tanimë në një pyetje është vetëm një përgjigje e saktë si opsion, e jo nga dy apo më tepër të sakta.
Ministria pati thënë se po zhvillon programe në fushën e patentë shoferëve për ta përmirësuar dhe lehtësuar procesin e testimit të kandidatëve.
“Grupit punues (ekspertëve) kishte për obligim për vendosjen dhe rifreskimin e pyetjeve në sistem të e-atestimit për të gjitha kategoritë për Patentë Shofer, gjithashtu edhe përgatitjen dhe hartimin e doracakut zyrtar për të gjitha kategoritë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.