Kallas: Zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor prioritet gjatë këtij mandati
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka theksuar rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për BE-në, duke deklaruar se rajoni është pjesë e pandashme e familjes evropiane.
Në një deklaratë për gazetarët para samitit BE-Ballkani Perëndimor, Kallas ka potencuar përkushtimin e saj personal për të avancuar marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe vendeve të rajonit.
Ajo ka përmendur gjithashtu nënshkrimin e një marrëveshjeje për siguri dhe mbrojtje me Shqipërinë, duke theksuar se ka shumë hapësirë për bashkëpunim mes BE-së dhe vendeve të rajonit.
“Ballkani Perëndimor është rajon shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, ata i takojnë Evropës nga aspekti gjeografik, kësisoj është shumë e rëndësishme që ta shtyjmë përpara marrëdhënien tonë… Sot do të diskutojmë planin e rritjes, po ashtu sot kemi nënshkruar marrëveshjen për siguri dhe mbrojtje me Shqipërinë, kështu që ka shumë hapësirë për bashkëpunim”, ka deklaruar Kallas.
Sa i përket zgjerimit të Bashkimit Evropian, Kallas u shpreh e vendosur që ky proces të ketë progres gjatë mandatit aktual pesëvjeçar.
“Është e qartë që së bashku me Komisionin për zgjerim, dhe unë, duam më të vërtetë të shohim avancim në procesin e zgjerimit (të BE-së) gjatë këtij mandati 5 vjeçar që kemi, kështu që jemi të gatshëm të punojmë për këtë’’, ka thënë ajo mes tjerash”, ka deklaruar ajo para mediave.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka kritikuar Bashkimin Evropian se është i “padrejtë” ndaj Kosovës në politikat e saj në Ballkanin Perëndimor, duke mos i hequr masat ndëshkuese ndaj saj dhe duke mos treguar gatishmëri për ta shqyrtuar kërkesën e saj për anëtarësim në bllok.
Duke folur pas mbërritjes të mërkurën në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, Osmani tha se “duket se ka tendenca në BE nga disa shtete anëtare që Kosova vazhdimisht të dënohet”.
Ajo tha se takimet si ky samit janë rast i mirë për ta çuar përpara perspektiven evropiane të të gjithë rajonit, por se, sipas saj, në procesin e zgjerimit BE-ja po i bën “padrejtësi” Kosovës.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqytuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.
Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian takohen sot në Bruksel me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor në samitin e përbashkët që tashmë është bërë format i rregullt i takimeve së paku një herë në vit.
Qëllimi i samitit BE- Ballkani Perëndimor, sipas zyrtarëve të bllokut, është që të forcohet partneritetit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duke përshirë integrimin gradual të këtyre vendeve në disa politika të BE-së edhe para se ato një ditë të bëhen edhe formalisht vende anëtare.