Kallas: Zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi, “farsë”
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian tha sot se zgjedhjet e fundit në Bjellorusi ishin “një farsë. Duke folur në Bruksel përpara një takimi të Ministrave të Jashtëm të BE-së, Kaja Kallas tha se ishte takuar me udhëheqësen e opozitës bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya për të diskutuar zgjedhjet e së dielës, të cilat i dhanë presidentit autoritar Alexander Lukashenko një mandat të 7-të në pushtet.
Udhëheqësja e opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila u largua nga Bjellorusia për shkak të trysnisë së qeverisë pasi sfidoi Presidentin Lukashenko në vitin 2020, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se zgjedhjet e së dielës ishin “një farsë e plotë, një ritual i Lukashenkos”.
Bashkimi Evropian i ka hedhur poshtë zgjedhjet, duke i konsideruar ato jo legjitime dhe zyrtarët e BE-së kanë kërcënuar Minskun me sanksione të reja.
“Bëhet fjalë për zgjedhje të manipuluara në Bjellorusi. Ne jemi me popullin bjellorus. Bjellorusia ndodhet lart në axhendën e Bashkimit Evropian”, tha Kaja Kallas, shefe politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.
Kundërshtarët e Presidentit Lukashenko, shumë prej të cilëve u burgosën dhe u detyruan të largoheshin nga vendi për shkak të shtypjes së pandërprerë dhe kufizimit të lirisë së shprehjes, i kanë quajtur zgjedhjet jo legjitime, duke i krahasuar ato me zgjedhjet e vitit 2020, që shkaktuan protesta të pashembullta disa mujore në vendin me 9 milionë banorë.
Mediat e pavarura janë ndaluar në ish-republikën sovjetike.
Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Presidenti Alexander Lukashenko, i cili ka qenë udhëheqës i Bjellorusisë për 31 vite, mori 86.6 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të së dielës.
Ndërsa Perëndimi i cilësoi si jo të lira dhe të padrejta zgjedhjet, Moska tha sot se po festonte fitoren e aleatit të saj Alexander Lukashenko dhe hodhi poshtë kritikat e Perëndimit, duke thënë se ato ishin “të parashikueshme”.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas vlerësoi Presidentin amerikan Donald Trump për presionin ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Diskutuam edhe për gjendjen në Ukrainë. Pres një vazhdim të sanksioneve ndaj Rusisë. Natyrisht që është një gjë e mirë që Presidentit amerikane Donald Trump po bën trysni mbi Rusinë, duke thënë se përfundimi i luftën është në dorën e tyre”, tha ajo.
Vendet perëndimore kanë vendosur vazhdimisht sanksione kundër regjimit të Lukashenkos dhe nuk e konsiderojnë atë një president legjitim të vendit.
Për shkak të pasojave të këtyre sanksioneve, regjimi i Lukashenkos është afruar me Rusinë, duke i lejuar presidentit Vladimir Putin të përdorë territorin e tij për të vendosur trupa ruse dhe për të organizuar sulme kundër Ukrainës./VOA