Kallas: Në mars fillojnë përgatitjet e BE-së për funksionalizimin e dialogut Kosovë-Serbi

Kallas: Në mars fillojnë përgatitjet e BE-së për funksionalizimin e dialogut Kosovë-Serbi

Në mars pritet që Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapa konkretë për funksionalizimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në këtë proces, rol kyç do të kenë Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, dhe i dërguari i ri i posaçëm për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, të cilët do të përcaktojnë rrugën përpara.

Duke folur para gazetarëve në Bruksel, shefja e diplomacisë së BE-së ka deklaruar të enjten se është duke dëgjuar kritika rreth rrjedhës së deritanishme të procesit, duke paralajamëruar ndryshime në formatin aktual të dialogut Prishtinë-Beograd.

“Sapo kemi emëruar një përfaqësues të posaçëm për dialogun mes Beogradit e Prishtinës. Dhe, unë do të ulem me të në mars, për të parë se si do të vazhdojmë me këtë. Është e qartë se normalizimi i raporteve është i nevojshëm për dyja vendet”.

“Unë vërtet dua të shikoj se si mund ta bëjmë dialogun funksional. E kam adresuar këtë edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë. Dhe, ai më ka thënë se është i gatshëm vërtet të investojnë kohë në normalizim”, ka theksuar tutje kryediplomatja evropiane.

E propozime të reja për Kosovën e Serbinë ka paralajmëruar në fund të janarit edhe ish-emisari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, por pa dhënë detaje specifike.

Në një intervistë në fund të mandatit, ai ka ka njoftuar se BE-ja është duke i bërë përgatitjet për t’i rifilluar negociatat në nivel të lartë pas zgjedhjeve në Kosovë.

“Ne jemi duke u përgatitur që BE-ja të fillojë bisedimet në nivelin më të lartë pas zgjedhjeve në Kosovë. Përfaqësuesja e re e Lartë e ka bërë të qartë se do të jetë e përfshirë drejtpërdrejt dhe se dëshiron të udhëheqë procesin. BE-ja është duke përgatitur propozime për të dyja palët”, nënvizoi ai në një intervistë lamtumirëse.

Kosova ka përpara procesin e vështirë të formimit të qeverisë pas përfundimit të ciklit të ri elektoral, ndërsa Serbia është përpara një periudhe të pasigurt, ku zhvillimet dramatike kanë sfiduar për herë të parë pushtetin autoritar të presidentit serb.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur një “marrëveshje historike” para dy vitesh, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër. Megjithatë, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ajo nuk është zbatuar akoma, ndërsa tensionet vazhdojnë të kërcënojnë stabilitetin.

Ndryshe, përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë përballë pasigurive që rrethojnë Evropën, krahas ngjyrimeve të reja gjeopolitike, mbetet për t’u parë kursi i BE-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Shpërndaje në: