Kajtazi debuton me “La Boheme” në teatrin prestigjioz zviceran
Ajo do të debutojë në këtë operë e veshur në kostumin e vajzës atraktive dhe plot jetë, Musettas, shkruan Koha Ditore. Kajtazin e pret skena prestigjioze e teatrit “Grand Théâtre de Genève” në Gjenevë të Zvicrës.
Sopranoja e cila që nga viti 2013 është pjesë e “Deutsche Oper Berlin”, në shtator të këtij viti ka nënshkruar kontratë edhe me dy shtëpi të tjera të mëdha operistike, përfshirë atë të Gjenevës dhe “Aalto Musiktheater Essen” në Essen të Gjermanisë.
Krahas angazhimeve të tjera, ajo do të jetë në lëvizje në mes të këtyre teatrove ku do të sjellë role të shumta. Por aktualisht është duke u përgatitur për rolin e Musettas, të cilin do interpretojë më datën 30 të muajit nëntor. “La Boheme” është operë në katër akte e kompozuar nga Giacomo Puccini me liberto të Luigi Illica e Guiseppe Giacosa, dhe bazohet në romanin “Scenes de la vie de boheme” nga Henri Murger.
/koha.net