Kadri Veseli s’e synon tash kryeministrinë!
Siç mundet me u parashikue, rastet që kanë me krijue ndjeshmëni ma të naltë te ne, kanë me qenë ato të shqiptarëve të vramë gjatë e pas luftës, sidomos, nisun nga dyshimi, se qenë viktima, kryesisht, vetëm për shkak të bindjeve të tyne politike dhe i kanë takue Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shpalimi i rrëfimeve gjatë procesit gjyqësor, ka me nxitë tensione te të dyja palët, te të dëmtuemit si dhe te të akuzuemit e mbrojtësit e tyne. Veseli, në këtë mes, gjendet i atakuem nga të dyja anët!
Simbas nji kalkulimi të thjeshtë politik, Veselit, kish me i konvenue ndërtimi (vazhdimi) i nji Qeverie që përfaqëson të dyja palët dhe menaxhon tensionin në të dy anët. Domethanë, nji Qeveri me të njajtin format sikur të sotshmit. Por, me nji rikonfirmim të fitores së partisë së tij me të në krye dhe, mundësisht, me nji lider tjetër të Lidhjes Demokratike, me të cilin mundet me pasë raporte ma të afërta e kuptueshmëni ma të madhe.
Megjithë reagimin e kundërshtarëve në ‘panatyrshmëninë’ e koalicionit e cilësimin e tij si nji bashkëqeverisje mes ‘xhelatit e viktimës’, megjithatë, efekti i tij, ka me qenë ma i vogël krahasue me lanien e LDK’së pa pushtet. Ky format qeverisës, ndoshta, i përshtatet edhe mendimit të partnerëve ndërkombëtar, në veçanti atij amerikan, për kapërcimin, ma lehtë e ma qetë, të kësaj situate.
Në ndërkohë, ndonji lëvizje me randësi të madhe në proceset integruese të Kosovës nuk pritet me ndodhë (përpos, ndoshta, liberalizimit të vizave), të paktën jo mbrenda këtij tri vjeçari. Gjatë kësaj periudhe kohore, Serbia, mundet me përparue në përafrimin e saj me Bashkimin Europian, të përmbushjes së kritereve për anëtarësim, që nënkupton edhe konfirmimin e normalizimit të marrëdhanieve me Kosovën dhe pajtimin për nji paqe të qëndrueshme. Edhe nëse Serbia zgjedhë tjetër rrugë, Europa e Perëndimi s’kanë me e pritë ma. Cilado të jetë, dikund kah 2020’ta, Kosovës kanë me ju hapë rrugët në proceset integruese dhe të anëtarësimeve në organizata e organizma ndërkombëtar.
Veseli, qysh tash, asht përgatitun për atë kohë, kur pret me ju prie këtyne proceseve në Kosovë. Ai ka hy në politikë me udhëheqë gjatë dhe i peshon mirë situatat politike. Zgjedhjet e kërkueme prej tij, që simbas tana gjasave kanë me u pajtue me u shpall në shtator e zhvillue në tetor, së bashku me ato lokalet, kanë synim ruejtjen e elektoratit para aktakuzave të Gjykatës Speciale dhe konsolidimin rolit të tij në parti e koalicionin e ardhshëm, e jo nisun nga ambicia për postin e kryeministrit, në këto rrethana politike.
Nji LDK e reformueme, me nji tjetër kurs e tjetër mentalitet politik, pa asnji dyshim kish me e zgjue elektoratin e saj të fjetun e inkurajue rininë me votue, besue e përkushtue në ndryshime! Dhe, Po, Amerika njeh e respekton gjendjen faktike në terren! Por, vetëm kur ajo krijohet mbrenda kufijve të lejueshmës!
Opinion i shkruar për GazetaBlic