Kadareja të enjten në Kosovë për çmimin “Letërsia shqipe”
Këtë e ka konfirmuar për gazetën shefi i kabinetit të ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, Ndue Ukaj, shkruan sot “Koha Ditore”. “Shkrimtari Kadare do të jetë i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimit”, ka thënë Ukaj për solemnitetin që do të mbahet në bibliotekën kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.
Kadare është laureati i parë i çmimit “Letërsia shqipe” që sivjet është themeluar nga MKRS-ja. Sipas Ministrisë së Kulturës, ky çmim i veçantë jepet për personalitete, të cilat, me veprën e tyre, kanë ushtruar një ndikim esencial në emancipimin e shoqërisë, në ngritjen dhe vetëdijesimin e përgjithshëm për vlerat emancipuese, me theks të veçantë përmes fushës së letërsisë, duke ndikuar kështu në njohjen e saj në përmasa ndërkombëtare.
Çmimi i themeluar muajin që shkoi ka vlerë financiare prej 10 mijë eurosh dhe u jepet personaliteteve, shtetas të Republikës së Kosovës, Shqipërisë apo ndonjë shteti tjetër, që kanë dhënë kontribut të çmuar për letërsinë shqipe…/Koha.net