Ka përparim në bisedimet SHBA-Ukrainë, thotë këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë

Ka përparim në bisedimet SHBA-Ukrainë, thotë këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Mike Waltz tha sot se Shtetet e Bashkuara po përparojnë në bisedimet që po zhvillojnë me një delegacion të lartë ukrainas, që po mbahet në qytetin Xhedah të Arabisë Saudite.

Komentet zoti Waltz i bëri për gazetarët gjatë një pauze të shkurtër të bisedime. Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, që po udhëheq delegacionin amerikan, nuk iu përgjigj pyetje të gazetarëve.

Takimi filloi në mesditë sipas orës lokale, në qytetin buzë Detit të Kuq. Palët vendosën të zhvillojnë një pauzë pas mbi 3 orësh e gjysmë bisedimesh.
Andriy Yermak, shefi i kabinetit të Presidentit ukrainas Volodomyr Zelensky, pjesë e delegacionit ukrainas, në një postim në rrjetin social X; shkruante “në punë e sipër”.

Zoti Yermak gjithashtu ka vlerësuar se “takimi ka filluar në mënyrë shumë konstruktive”.

Gjatë takimit delegacioni ukrainas pritet të prezantojë një plan të pjesshëm armëpushimi me Rusinë.

Plani ukrainas përfshin ndalimin e sulmeve me raketa me rreze të gjatë dhe një armëpushim që mbulon Detin e Zi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk po merrë pjesë në takimin e së martës. Ukraina përfaqësohet nga shefi i tij i personelit Andriy Yermak, ministri i jashtëm ukrainas Andrii Sybiha, ministri i mbrojtjes Rustem Umerov dhe komandanti Pavlo Palisa.

Para takimit, Presidenti Zelensky shkroi në “X” se Ukraina shpreson për “rezultate praktike”.

Kremlini tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje të kuptojnë se sa është Kievi i gatshëm për bisedime që do t’i japin fund luftës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, drejtojnë delegacionin e Shteteve të Bashkuara mes përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për të ndërmjetësuar një fund të shpejtë të luftës që filloi më 2022.

Sekretari Rubio tha të hënën se Shtetet e Bashkuara shpresojnë të gjejnë zgjidhje për të vazhduar ndihmat për Ukrainën.

Ai tha se Uashingtoni ka shkuar në takim me qëllim që të kuptojë se çfarë lëshimesh është e gatshme të bëjë Ukraina.

“Ukrainasit tani po marrin të gjitha informacionet e inteligjencës. Shpresoj të zgjidhim çështjen e ndalimit të përkohshëm të ndihmave. Ajo që do të ndodhë gjatë takimit ka rëndësi kyçe për këtë çështje”, iu tha Sekretari Rubio gazetarëve në bordin e avionit gjatë rrugës për në Xhedah të Arabisë Saudite.

“Gjatë takimit nuk do të diskutojmë çështje madhore, por do të kuptojmë se çfarë lëshimesh janë të gatshëm të bëjnë ukrainasit”, tha zoti Rubio. Ai shtoi se nuk ka një zgjidhje ushtarake për luftën dhe se Rusia dhe Ukraina duhet të jenë në gjendje “të marrin vendime të vështira”.

Të hënën Princi saudit i Kurorës Mohammed bin Salman u takua me Sekretarin Rubio në qytetin buzë Detit të Kuq, Xhedah ku po mbahet takimi SHBA-Ukrainë.

Princi Salman u takua ndaras edhe me Presidentin Zelensky në Riad para takimit më kryediplomatin amerikan.

A do të arrihet marrëveshja për mineralet?

Presidenti Trump ka thënë se vazhdimi i mbështetjes ushtarake për Kievin varet nga marrëveshja për mineralet e rralla ukrainase.

Dhjetëra minerale, duke përfshirë ato që vlerësohen si të rralla; nikeli dhe litiumi vlerësohen me rëndësi kritike për ekonominë dhe mbrojtjen kombëtare amerikane. Ukraina ka depozita të mëdha të uraniumit, litiumit dhe titaniumit.

Megjithatë, Sekretari Rubio sqaroi se arritja e marrëveshjes mbi mineralet e Ukrainës nuk është qëllimi kryesor i bisedimeve që po mbahen sot (të martën).

“Ka ende disa detaje që duhet sqaruar. Ne duam të nënshkruajmë një marrëveshje dhe për këtë duhet kohë”, tha zoti Rubio.

“Nuk do të paragjykoja rezultatin e takimit mbi atë nëse kemi një marrëveshje për mineralet apo jo. Kjo është një çështje me rëndësi, por nuk është tema kryesore e takimit”, shtoi Sekretari Rubio.

Ai përshëndeti rolin konstruktiv të Francës dhe Britanisë mbi bisedimet me Ukrainën.

Sekretari Rubio i tha Zërit të Amerikës se nuk është diskutuar një rol për Kinën në ruajtjen e paqes dhe rindërtimin e Ukrainës.

Kjo është vizita e dytë e Sekretarit Rubio në Arabinë Saudite. Ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Shteteve të Bashkuara janë takuar me një delegacion rus në Riad më 18 shkurt.

Ai do të shkojë në Kanada të mërkurën për të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të shtatë vendeve më të zhvilluara të botës.


Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga agjencitë e lajmeve “Associated Press”, “Agence France-Presse” dhe “Reuters”./VOA

Shpërndaje në: