“Ka informacione se disa para përfunduan te Kurti dhe Osmani”, flet gazetari që e zbuloi skandalin financiar në Slloveni

“Ka informacione se disa para përfunduan te Kurti dhe Osmani”, flet gazetari që e zbuloi skandalin financiar në Slloveni

Informacionet janë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë marrë para nga Martin Berishaj për kampanjat e tyre të fundit elektorale, ka thënë Luka Persh, gazetari nga mediumi online Prava.si.

Persh në një intervistë për Albanian Post riktheu sërish temën e Martin Berishajt, ambasadorit të Kosovës në Kroaci, për të cilin u kuptua se kishte pranuar 600 mijë euro nga kompania energjetike sllovene GEN-I, dega në Beograd.

Në një hulumtim të tij, ai zbuloi se nuk bëhet fjalë mijëra, as për qindra mijëra, por për miliona euro në një skemë të kësaj kompania e cila duke përdorur degët e veta nëpër Ballkan, kryesisht Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Shqipëri, ka shpërlarë para. Brenda skemës dhe si lojtar periferik ishte edhe Martin Berishaj.

Në një pjesë të shkrimit të tij, Persh shkruan se një shumë e caktuar parash nga ato që mori Berishaj, përfunduan në kampanjë elektorale në Kosovë, saktësisht tek Lëvizja Vetëvendosje dhe te Lista Guxo.

I pyetur nga Albanian Post, Persh deklaron se aktualisht këto janë në nivel të informacioneve, por edhe interesimi i tij në këtë temë nuk ka të bëjë shumë me çfarë ka bërë Berishaj, por çfarë ka bërë kryeministri slloven, Robert Golob, për të cilin thotë se është koka e kësaj skeme financiare ballkanike.

“Ka informacione se një pjesë e parave nga këto degë të GEN-I slloven, me ndihmën e Martin Berishajt kanë përfunduar në kampanjën elektorale të kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti dhe të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu”, thotë Persh.

Por, a ka prova?

“Aktualisht nuk kemi prova fikse, por pyesni veten pse janë transferuar gati 17 milionë euro edhe te GEN-I Tirana në vitin 2021 nga GEN-I në Slloveni”, thotë ai, derisa në gjithë këtë histori ai e sheh edhe një person si shumë të rëndësishëm.

“Në këtë storie është edhe një person, Arun Chaudhary, që ka punuar për Albin Kurtin dhe kampanjën e tij, e ai ishte ish-punonjës i kampanjës së Barack Obamas”.

Persh është i bindur se “jemi në fillim të një storie që do të shndërrohet në skandalin më të madh financiar në Ballkan në 20 vitet e fundit”.

Për Martin Berishajn dhe përfshirjen e tij në Slloveni nuk raportoi i pari Persh e as media e tij Prava, por televizioni Planet dhe mediumi online Siol.net.

Martin Berishaj në paraqitje para komisionit parlamentar në Kosovë, i ftuar për këtë çështje, pati thënë se të gjitha ishin shpifje dhe për këtë ka ngritur padi.

Në dijeninë e gazetarit slloven Persh, nuk ekziston asnjë padi e bërë nga ambasadori i Kosovës për dy mediumet.

“Hera e parë që afera e Martin Berishajt është shfaqur atë e ka publikuar televizioni Planet TV dhe media online Siol.net. Me sa di unë deri tani, Martin Berishaj nuk ka bërë padi. Mbase më mirë t’i pyesni vetë këto media dhe bordin e tyre editorial dhe ata iu tregojnë më mirë”.

Intervista e plotë e Albanian Post me Luka Persh, gazetari nga mediumi online Prava.si:

Albanian Post: Çfarë dini deri më tani për rastin e GEN-I, pagesat jashtë vendit në filalet e tyre dhe arsyet e këtyre pagesave?

Luka Persh: GEN-I është kompania më e madhe e energjisë elektrike në Slloveni. Në vitet e kaluara (2016-2021) kanë pasur të ardhura në mes të 1 dhe 3 miliardë euro. Në mediat sllovene ish-udhëheqësi i bordit i GEN-I është trajtuar si zot. Por, në fakt ishte veç një balon i fryrë që shpërtheu në rastin e parë serioz.

Sa i takon asaj që ka zbuluar Peter Gergoiçiç në emisionin Ura Moci në TV Planet, GEN-I ka humbur 700 milionë në vitin 2022. Tani si është e mundur që arrin 3.5 miliardë në 2021 në të ardhura, por në 2022 kishte humbje 700 milionë?

Ku shkuan paratë e taksapaguesve? Kështu, në një nga shkrimet e mia para zgjedhjeve parlamentare në Slloveni, kam shkruar se ku janë zhdukur të paktën 355 milionë euro në gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit. Me disa ekspertë në fushën e energjisë elektrike, kuptova se GEN-I duhet të kishte të paktën 3 deri në 5 për qind të fitimit neto vjetor. Në periudhën 2006-2021, ato arritën një mesatare vjetore një total prej 1.49 për qind të kthimit neto vjetor.

Ku shkuan pjesa tjetër e parave të taksapaguesve? Kështu që u nisa për të studiuar remitancat jashtë vendit të shfaqura në faqen e internetit të Erar. Vura re se remitancat nga jashtë shkonin kryesisht në Turqi, Ukrainë, Emiratet e Bashkuara Arabe (Dubai), Qipro (kompania Rudnap), Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Shqipëri.

Kështu kuptova në një nga shkrimet e mia se ata nëpërmjet operacioneve bankare financiare në Serbi, Bosnje-Hercegovinë dhe Shqipëri, kanë siguruar që 100 milionë euro nga paratë e taksapaguesve sllovenë të zhduken në vende të panjohura parash. Zgjidhja e vetme për këtë rast është që GEN-I Serbia, GEN-I Albania dhe GEN-I Bosnje-Hercegovina të shfaqin të gjitha llogaritë për periudhën 2015-2021 dhe ne do të zbulojmë shpejt pse filialeve në këto vende kishin nevojë për të ashtuquajturën kredi financiare bankare të kompanisë qendrore nga Sllovenia.

Albanian Post: A është, dhe nëse po, si është i përfshirë kryeministri aktual slloven, Robert Golob?

Luka Persh: “Në të vërtetë, ai mban përgjegjësinë më të madhe. GEN-I është paraardhësi i kompanisë IGES, e cila u krijua në 2002 me ndihmën e kapitalit të kompanisë shtetërore Istrabenz. Në vitin 2006 në fakt kompania u ble nga shteti i Sllovenisë dhe u bë pronar qendror i GEN-I përmes kompanisë GEN Energija. Robert Golob dhe ekipi i tij kanë qenë në krye për gjashtëmbëdhjetë vjet. Ndërtoi një elektro oktapod me gjashtëmbëdhjetë filiale jashtë vendit. Interesante, përfaqësuesi i filialeve në Shqipëri, Serbi dhe Bosnje Hercegovinë është gjatë gjithë kohës aty, Dr. Igor Koprivnikar, president aktual i GEN-I dhe organizator për një kohë të gjatë i operacioneve financiare nën udhëheqjen e Robert Golob.

Koprivnikar ishte përfaqësuesi ligjor i 12 filiale të huaja. Prandaj, Robert Golob në fakt mban përgjegjësinë më të madhe për të gjitha transaksionet që ndodhën.

Albanian Post: Çfarë dini për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në çfarë forme është i përfshirë ai? Disa thonë se e gjithë kjo histori është vetëm një fushatë e mediave të afërta me Janez Janshën kundër Robert Golobit, a është e vërtetë?

Luka Persh: Martin Berishaj është një person me shumë ndikim dhe me lidhje të forta me përfaqësuesit më të mëdhenj politikë në Slloveni. Kur shpërtheu afera Martin Berishaj, disa media të afërta me partitë e majta tentuan ta mbulonin aferën me disa foto të Berishjat dhe Janshës në të kaluarën. Edhe pse mbështetjen e ka shprehur edhe Berishaj vetë për Janshan para zgjedhjeve parlamentare apo evropiane në të kaluarën.

Është e vërtetë, afera shpërtheu disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të prillit të kaluar në Slloveni. Por, detajet i dini sepse edhe ju e keni përcjellur dhe keni raportuar intesivisht.

Albanian Post: A jeni ju i afërt me Janez Janshën?

Luka Persh: Si çdo gazetar, unë bashkëpunoj me politikanë të të gjitha ngjyrave politike në artikujt e mi. Kam marrëdhënie konkrete me shumicën prej tyre. Kam folur me Janez Janshën një herë në jetë për 20 minuta. Për shkak të së kaluarës mediat e qendrës me një politikë editoriale qartësisht me prirje të majtë më referuan si gazetari i parë investigativ i Janshit, sepse punoja në një media online Nova24tv, media kryesore e krahut të djathtë në Slloveni.

Nga shtatori 2021, themelova median online Prava.si , ku kryesisht kemi të bëjmë me devijimet e tranzicionit slloven. Por, ja një rast, në të kaluarën kam vënë re në medina tuaj Albanian Post se redaktori i medias online Necenzurirano Primož Cirman ka komentuar aferën Martin Berishajt. Aktualisht, vetëm kjo media tani vlen për qeverinë sllovene dhe Robert Golob. Por, disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare të prillit, ish-kolegu i Cirman-it, Vesna Vukoviç, u bë udhëheqës i marrëdhënieve me publikun në partinë që udhëhiqet nga kryeministri aktual Robert Golob.

Gruaja e Cirmanit, Petra Bezjak Cirman, u bë ushtruese e detyrës së presidentit të UKOM, “Urada vlade za komuniciranje”.

Por, secili gazetar e bën punën vetëm nga këndvështrimi i tij. Jam mësuar me të tilla ofendime dhe komentet negative, prandaj i marr ato si pjesë të punës sime.

Albanian Post: Martin Berishaj ka thënë se ai ka paditur mediumin që fillimisht ka raportuar për rastin për shkak të shpifjeve. A dini diçka për këtë pati, a është bërë?

Luka Persh: Hera e parë që afera e Martin Berishajt është shfaqur atë e ka publikuar televizioni Planet TV dhe media online Siol.net. Me sa di unë deri tani, Martin Berishaj nuk ka bërë padi. Mbase më mirë t’i pyesni vetë këto media dhe bordin e tyre editorial dhe ata iu tregojnë më mirë.

Albanian Post: Çfarë dini deri më tani, a keni informacione konkrete se një pjesë e parave të marra nga Martin Berishaj kanë përfunduar te Lëvizja Vetëvendosje dhe te kryeministri, Albin Kurti?

Luka Persh: Ka informacione se një pjesë e parave nga këto degë të GEN-I slloven, me ndihmën e Martin Berishajt kanë përfunduar në kampanjën elektorale të kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti dhe të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Aktualisht nuk kemi prova fikse, por pyesni veten pse janë transferuar gati 17 milionë euro edhe te GEN-I Tirana në vitin 2021 nga GEN-I në Slloveni. Në këtë storie është edhe një person, Arun Chaudhary, që ka punuar për Albin Kurtin dhe kampanjën e tij, e ai ishte ish-punonjës i Barack Obamas. Ai gjithashtu ka ndihmuar në të njëjtin vit aktivistin slloven Niki Kovac, po ashtu përfitues i një burse nga fondacioni i Barack Obamas. Besoj se jemi në fillim të një storie që do të shndërrohet në skandalin më të madh financiar në Ballkan në 20 vitet e fundit.

 

Shpërndaje në: