Joshje nga Kurti, e presion nga Mihali dhe Bordi i RTK’së – qysh u detyrua të largohet nga detyra ish- drejtori Ahmetxhekaj
Shkumbin Ahmetxhekaj, më 7 korrik përmes një postimi në Facebook i ishte drejtuar publikut për dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
‘I had a dream’, shkroi ai.
Për largimin thoshte se nuk është vullnet i tij, por kulmi i një presioni.
“Ky akt nuk është dorëzim dhe nuk reflekton vullnetin personal për të mos vazhduar me drejtimin e RTK-së, por është kulmim i një presioni politik 7 mujor që rezultoi me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik”, kishte shkruar ai.
Deri më sonte, Ahmetxhekaj nuk kishte dhënë hollësi se çfarë i kishte ndodhur – si erdhi te dorëheqja e tij.
Por, Ahmetxhekaj tregoi sesi fillimisht kryeministri i Kosovës Albin Kurti e kishte ftuar në një takim dhjetorin e vitit 2023, ditë e diel.
Ftesën e kishte marrë për datën 3 dhjetor 2023, duke shpresuar, siç tha ai, që Kurti po e ftonte për të biseduar rreth rritjes së buxhetit për RTK-në.
Ahmetxhekaj tha se këtë bindje e kishte bazuar në reformat e ndryshimet që ishin bërë në RTK.
Ka shtuar se Kurti e pranoi se ka ndryshime në RTK, por duhet më shumë. Dhe, siç shton ai përmendi edhe ndryshimet në menaxhment që duhet të ndodhin.
Në atë moment, Ahmetxhekaj thotë se e ka kuptuar se po i kërkohet largimi dhe se në këmbim të kësaj po i bëhej një ofertë.
Siç thotë ai, Kurti i kishte thënë se “është i mirë për ta përfaqësuar Kosovën jashtë vendit”, por shtoi se “nuk joshet nga ofertat politike”, duke nënvizuar se “do të mbetet gazetar”. Në lidhje me këtë moderatori i emisionit ka përmendur se është përfolur posti i ambasadorit në Portugali.
Ish-drejtori i RTK theksoi se nuk ka pasur ndonjë kërcënim apo kërkese direkte nga Kurti, por theksimi se duhet ndryshimi në menaxhment duke iu referuar përbërjes nënkuptonte saktësisht atë – largimin e tij, gjë që më pas ndodhi.
Sipas tij, takimi është pasuar nga një takim tjetër me Hajrullah Cekun, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili donte të sigurohej se Ahmetxhekaj e kishte kuptuar mesazhin e shefit të ekzekutivit.
“Diskutuam për takimin e një dite më parë se çfarë kemi kuptuar, konkretisht çfarë do të më bënte të jepja dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm, sepse është një vullnet i përgjithshëm që të ndryshohet menaxhmenti i RTK-së, të ketë drejtorë të rinj dhe që RTK-ja të përparoj tutje me këdo”, tha Ahmetxhekaj.
“Unë kisha bindjen se ka ardhur momenti që RTK-së t’i jepet buxhet shtesë dhe kam thënë që fatkeqësisht RTK-ja aktualisht e ka buxhetin nga Qeveria edhe pse do të duhej kjo të buronte nga Kuvendi i Kosovës, bindja ime ishte që në këtë takim po ftohesha për ta elaboruar më shumë planin se pse RTK-ja duhet të ketë buxhet shtesë. Kurti e pranonte se në RTK ka ndryshim, por mendonte se duhet të ketë ndryshim shumë më të thellë, i elaboroi ndryshimet, ishte i njoftuar me reformën që e kisha prezantuar në bord dhe në një moment të caktuar Kurti tha se ka ardhur koha për ndryshim të ri në menaxhment, sepse sipas tij kishte ardhur momenti për një hov të ri të zhvillimit të RTK-së dhe në njëfarë forme më tha që ndoshta do të isha i mirë për përfaqësim të Kosovës kudoqoftë e përmendi si opsion”, shtoi Ahmetxhekaj.
Pavarësisht takimeve me Kurtin e Cekun, Ahmetxhekaj thotë se kërkesa për largim në fakt i është bërë nga Dejona Mihaili e VV’së, të cilën edhe pse thotë se kurrë s’e ka takuar, diçka të tillë mund ta konfirmojë anëtarët e bordit të RTK.
Mihali që nga opozita cilësohet si “personi më i pushtetshëm pas Kurtit”, nuk mban asnjë pozitë shtetërore – por sipas versionit të Ahmetxhekajt, ajo ka ndikim edhe në bordin e RTK-së – përmes të cilit thotë se i është kërkuar dorëheqja.
“Fuqia e Madhe e Mihalit nuk është mit”, thotë ish drejtori i RTK-së – duke iu bashkuar shumë zërave se një person pa pozitë zyrtare kontrollon gjithçka në Kosovë – në një shtet ku sistemi i demokracisë parlamentare e bën qartë ndarjen e pushteteve.
“Mua nuk më ka kërkuar direkt, ka kërkuar nga anëtarët e bordit që ta mundësojnë shkarkimin ose ta mundësojnë dorëheqjen”, ka thënë ai. “Kjo është e çuditshme, e di që mund të ketë mohime…Sepse kur e ke zgjedhë një bord të pavarur, ta përfundojmë mandatin si të tillë”.
Javën e fundit RTK-ja ishte në qendër të vëmendjes, pas një lajmi të publikuar nga ky medium duke iu referuar një mediumi kontrovers boshnjak ‘Slobodna Bosna’, i cili atakonte pa fakte mediumet kosovare “si të lidhura me Serbinë”.
Partitë opozitare, media e një pjesë e shoqërisë civile paraqitën publikisht shqetësimet se RTK-ja “është kapur nga pushteti”.
Në këtë rrëfim, ai ka folur edhe për Rilind Gërvallën, drejtori i televizionit publik që e mbrojti publikimin e lajmit atakuese dy mediat kosovare “Nacionale” e “Periskopi”, duke e quajtur “Slobodna Bosnja” si kredibil.
Ahmetgjekaj thotë se Gërvalla hapur ka pasur simpati për Lëvizjen Vetëvendosje, por thotë se nuk kanë gjetur fakte se ishte pjesë e saj.
“Është fakt që Bordi bashkë me mua si ushtrues detyre dhe pastaj si drejtor I përgjithshëm kishim përcaktim të qartë që të depolitizojmë RTK. Në të kaluarën ka pas edhe punësime politike. Por ajo që ka ndodhur me Rilind Gërvallën është një evoluim të themi hap pas hapi, fillimisht ne nuk kemi prit që do të kemi dikë që ka bindje politike ndaj një partie që do të jetë në krye të ndonjë dikasteri të rëndësishëm në RTK, siç është televizioni në këtë rast”, ka deklaruar ish-drejtori i RTK-së.
E për skandalin e publikimit e lajmit joprofesional atakues ndaj mediave kosovare, Ahmetxhekaj tha se personi që ka marrë përgjegjësi do të duhej të shkarkohej.
“Kushdo që e merr përgjegjësinë për publikimin e një lajmi të tillë ai duhet të shkarkohet”, ka deklaruar ai.
Ky nuk ishte lajmi i vetëm i diskutueshëm i RTK-së, më 10 shkurt të këtij viti ishte publikuar edhe një lajm për një tentim atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut.
Ahmetxhekaj tha se drejtori i televizionit Rilind Gërvalla i ka treguar me një mesazh se do ta publikojë një lajm dhe se i ka burimet e sigurta.
“Lajmi për tentim antentatin, në ditën që është publikuar, drejtori i televizionit (Rilind Gërvalla) më ka shkruar, unë kam qenë duke I testuar frekuencat e Radio Kosova, pra ishim në lëvizje, e kam parë një mesazh:” Do të publikohet një lajm, i kam të gjitha burimet, rri i qetë I kam të gjitha në kontroll”. Drejtori i përgjithshëm nuk ka qasje në politikat editoriale, unë mund të marrë masa në qoftë se shkelen parimet, por jo qite ose mos e qit këtë lajm. Unë i kam takuar të nesërmen. Gërvalla e ka diskutuar me të gjitha nivelet, dhe janë marrë vesh me publiku lajmin me faktet që janë ofru. Ata thonë që kanë pas fotografi, e informacione dhe e kanë zhvillu të tillë”, ka deklaruar ai.
Dorëheqjet në RTK nuk janë ndalur, pasardhësja e Ahmetxhekaj, Zana Spahiu dha dorëheqje më 26 korrik të këtij viti si ushtruesi e detyrës së Drejtoreshës së Përgjithshme – përkundër se nuk ka deklaruar se dorëheqja saj lidhet me zhvillimet e fundit në RTK.
Për zhvillimet e fundit bordi i RTK-së ka formuar një komision që do t’i adresojë të gjitha shqetësimet, por Ahmetxhekaj u shpreh skeptik në efektivitetin e një komisioni të tillë.
Ai ka thënë se skandali mund të evitohej duke u ndërmarrë masat menjëherë. Gjë që nuk ka ndodhur, tash e një nëntë ditë që nga publikimi i lajmit joprofesional e atakues.