Jordi Alba largohet nga Barcelona
Jordi Alba do të largohet nga Barcelona në fund të sezonit edhe pse e kishte edhe një vit kontratë.
Zyrtarizimi pritet të arrijë shumë shpejt, por tashmë është i sigurt largimi i mbrojtësit të majtë nga gjiganti katalunas, i cili do të heq dorë nga një pjesë e pagës së vitit të fundit të kontratës.
Së fundmi, Barça i dha fund bashkëpunimit me Sergio Busquetsin, i cili do të largohet po ashtu në fund të sezonit, ndërsa pak kohë më parë u largua edhe Gerard Pique.
Alba do të largohet nga Camp Nou, por nuk do ta mbyllë edhe karrierën, pasi raportohet se ai do ta vazhdojë atë me gjasë jashtë Spanjës.
Largimi i mbrojtësit do të ndodhë pasi ai ka përfunduar si rezervist i Alejandro Balde, i cili e shijoi një super-sezon.
Alba i ka zhvilluar 29 ndeshje në të gjitha kompeticionet në këtë edicion, duke i shënuar dy gola dhe duke i bërë katër asistime.
Më parë, përfaqësuesi spanjoll kishte thënë se dëshiron të qëndrojë në klub edhe në sezonin e ardhshëm, por duket se eksperienca e tij e gjatë në klubin katalunas tashmë do të marrë fund.
Ai largohet nga Barça pas 11 vjetësh dhe ka mundësi ta vazhdojë karrierën në Arabinë Saudite bashkë me Busquetsin.